Vllaznia do ketë një ndeshje direkte në fundjavë për titullin kampion dhe kreun e tabelës kundër Partizanit. Të kuqtë që triumfuan në derbi me shifrat 2-0 përballë Tiranës tashmë janë në vendin e parë të renditjes me 40 pikë. 4 më shumë se Vllaznia që momentalisht është në vendin e 4-ët me 36 pikë.
Një diferencë totalisht e rikuprueshme duke parë që edhe disa nga ndeshjet më të vështira të këtij sezoni dhe që mund të vendosin shumë për fatet e kampionatit, shkodranët do i luajnë në shtëpi. Por duke nisur nga e shtuna gjithçka mund të rihapet totalisht në rast të një suksesi të mundshëm të të besuarve të Joses.
Shifrat dhe statistikat kundër Partizanit në këtë sezon janë totalisht të barabarta në kampionat. Kjo pasi ‘demat’ fituan në fazën e parë në kampionat brenda në ‘Loro Boriçi’ me shifrat 1-2, madje duke përmbysur avantazhin momental të kuqebluve që ishte vendosur nga Hoxhaj. Por resto u kthye në të njëjtën mënyrë në fazën e dytë në Tiranë, ku Vllaznia përmbysi shifrat nga 1-0 në 1-2, ku vendosi një gol i minutës së fundit nga Çoba.
E tashmë të shtunën në ‘Loro Boriçi’ luhet akti i tretë për këtë sezon në kampionat, ku do pritet edhe ai i katërt në Tiranë në fazën e fundit. Patjetër para publikut të tyre shkodranët do kërkojnë maksumimin ndaj një kundërshtari të cilin e mposhtën edhe para pak ditësh në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të kupës së Shqipërisë në shifrat 3-1.
Endri ÇINARI