Në një operacion “blic”, Juventusi e mbylli tratativën për Alvaro Moratën brenda natës. Bardhezinjve iu bllokua pista Suarez dhe Xheko, e në këtë formë gjetën ngushëllim te sulmuesi spanjoll, i cili e njeh mirë ambientin torinez duke qenë se aty është aktivizuar për dy vite. Ndërkaq, 27-vjeçari është shprehur i lumtur të rikthehet sërish te Juventusi, ndërsa thekson se kjo eksperiencë mund të jetë edhe më e mirë se hera e parë.
“Të rikthehem te Juventusi është një ndjenjë e bukur për mua, kam qenë gjithnjë i lidhur me Juventusin. Jam shumë i lumtur që jam sërish këtu dhe mezi pres orën të stërvitem me shokët e mi.
Aventura ime e parë me bardhezinjtë ishte shumë e bukur, tani jam i bindur se do të jetë edhe më e mirë.
Jam rritur dhe do të jetë një rrugëtim i bukur edhe këtë herë. Jam gjithnjë i gatshëm për Juventusin, ky është një klub dhe një familje e madhe. Kur je në një vend ku ndihesh si në shtëpi, është gjithnjë bukur të rikthehesh”, u shpreh Morata. /VipSport/