Sulmuesi i Atletico Madrid, Alvaro Morata ka dhënë së fundmi një intervistë, ku foli për merkaton e verës së kaluar, kur ishte afër rikthimit në Itali, me Milan-in, Roma-n, Inter-in dhe Juventus-in që kishin kontaktuar me të.
Morata deklaroi se ai kishte dashur që të transferohej te Roma, por zbuloi që trajneri i Atletico-s, Simeone e kishte bindur që të qëndronte në Spanjë.
“Më kontaktuan nga Milan-i, më pas më thirrën trajnerët e skuadrave të tjera sepse kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Allegri më stërviti. E njëjta gjë vlen edhe për Mourinhon, i cili më dha edhe debutimin tim në Madrid.
Më pëlqeu ideja për të shkuar te Roma, për të luajtur me Paulon, për të qenë në një klub dhe në një qytet plot pasion, ku futbolli përjetohet si në Amerikën e Jugut. Megjithatë, në fund Simeone më bindi dhe më ndalo që të largohesha nga Atletico”-deklaroi Morata.