Trajneri i Laçit, Françesko Moriero, ka qenë i kënaqur me barazimin e skuadrës së tij në fushën e Bylisit, duke theksuar se është i lumtur me ngjitjen graduale që po bënë ekipi.

“Duhet t’i bëj komplimente djemve se kemi bërë gjithçka për të fituar ndeshjen. Kishim 4 raste të pastra për të shënuar, kanë vënë zemrën në fushë. Jam shumë i lumtur për paraqitjen, i kisha kërkuar një ndeshje të mirë e mos shihnin rezultatin, djemtë po rriten dhe kjo për një trajner është shumë e rëndësishme.

Skuadra kishte distancat e duhura, kishte ekuilibër në fushë dhe trajneri ndryshon kur gjërat nuk shkojnë mirë. Ndërrova ato që mendova se ishte e rëndësishme të ndërroheshin, për mua të rëndësishëm janë edhe kur futen 2 apo 5 minuta, që të japin gjithmonë maksimumin.

Skuadra po rritet shumë fizikisht dhe mendërisht, është një ekip i cili duhet të bëjë presing për 90 minuta. Sot, jo si herët e tjera, kemi pasur katër raste për gol shumë të rëndësishme. Por e njohim futbollin, kur nuk mund të fitohet, nuk duhet të humbësh dhe të mbash ekuilibrat. Ndaj avash-avash, të dalim nga zona e nxehtë se e dimë që duhet të përmirësohemi edhe më shumë.

Komplimentet u duhen bërë djemve dhe klubit që mi ka vënë në dispozicion. Ua them gjithmonë të mos harrojmë nga vijmë, jemi skuadra më e re e kampionatit, me lojtarë që nuk i njihte askush. Këta djem japin zemrën në fushë dhe për mua klubi është thelbësor.

Mendoj se djemtë kanë bërë një ndeshje të rëndësishme në aspektin fizik, një skuadër që vjen të luajë këtu, me 4-5 raste të pastra për gol. Nuk mendoj se është e lehtë, skuadra luajti në nivel të lartë, kanë qenë shumë të zot. Të mos harrojmë nga vijmë, kemi qenë të fundit dhe avash-avash po mundohemi të ngjitemi.

Unë kam lojtarë me shumë eksperiencë në skuadër, bëra të xhirojë shiriti i kapitenit, sepse të gjithë duhet të jenë kapitenë të vetvetes. Kemi lojtarë që i pranojnë me shumë qejf vendimet e trajnerit dhe që shiritin që vë vetëm në fushë është vetëm një rrip. Kapiten duhet të jesh në fushë dhe unë kam 3-4 lojtarë që bëjnë kapitenin”, tha Moriero për RTSH pas ndeshjes.