“Marr shkas për t’ju drejtuar te gjithë sportdashësve anembanë trojeve shqiptare me këtë letër të hapur, pasi para dhe pas ndeshjes së fundit, që për fat të keq isha kundërshtar me skuadrën e kombit tim, është hapur një luftë e paprecedent kundër personit tim dhe bashkëlojtarëve të mi nga disa media të veçuara sportive dhe opinioniste, por më shumë nga vetë Z. Armando Duka, që është edhe fajtori për humbjen e shumë talenteve kuqezi. Për këtë arsye mendova t’ju drejtohem me një letër të hapur të gjithëve ju, të cilët nuk e njihni të vërtetën dhe historinë time. Që kur kam vendosur të luaj futboll, për mua ka pasur vetëm një ëndërr dhe ideal: “përfaqësimi i ngjyrave të kombit tim”, do të ishte dhe është ndër dhe krenari për mua, ashtu si për çdokënd besoj, të luaja krah bashkatdhetarëve të mi e për më tepër për ATDHEUN tim, por mungesa e kontaktit dhe e kërkesës e më pas refuzimi i vazhdueshëm nga FSHF (paçka përpjekjeve të panumërta të miat dhe familjes sime për të veshur fanellën kuq e zi), më shtynë drejt skuadrës kombëtare të Zvicrës, kërkesat e secilës si për ironi nuk reshtnin.
Më duhet të theksoj dhe t’ia bëj të ditur gjithkujt, e mbi të gjithëve juve tifozë kuqezi, të cilët jeni më besnikët e kombëtares shqiptare, se unë dhe familja ime kemi dashur gjithmonë vetëm kombëtaren tonë, KOMBËTAREN KUQ E ZI. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi përjetësisht krenarë mbi prejardhjen tonë, e unë do të vazhdoj të lartësoj emrin tim gjithmonë në funksion të ATDHEUT tim. Kam dalë përherë ballëhapur dhe krenarë duke deklaruar prejardhjen time dhe do të vazhdoj ta bëj deri në fund të jetës. Shqipëria ka talente të mëdha kudo nëpër botë, dhe unë uroj me gjithë zemër që me ta mos të ndodhi ajo që ndodhi me mua, që në një kohë kur unë kërkohesha urgjent nga federata zvicerane, federata ime, e vendit tim, më sprovonte duke më vënë përballë pengesave tërësisht të panevojshme e mbi të gjitha dashakeqe. I vendosur përballë refuzimit të vetë dhe vetëm FSHF (as FIFA nuk ka qenë pengesë që unë të vishesha kuq e zi) dhe presionit për të marrë një vendim, mu desh të vendosesha në radhët e kombëtares ku jam rritur dhe formuar, e megjithatë ju garantoj se në çdo ndeshje kam festuar kuq e zi dhe kam mbajtur krenar simbolet kombëtare. Mbare populli shqiptar duhet të dijë se unë Granit Xhaka, siç disa me akuzojnë tradhtar, jam biri i një të burgosuri politik, i cili vuajti nëpër burgjet e Serbisë vetëm e vetëm të bëhet Shqipëria etnike dhe s’iu tremb as burgut e as luftës kur ishte fjala për Shqipërinë. Jam lindur, jam rritur e jam edukuar nga prindërit e mi me frymën e patriotizmit dhe me atdhedashurinë për kombin shqiptar. Më kanë mësuar se si te respektoj kombin tim, gjakun tim, atdheun tim dhe unë jam krenar që jam shqiptar, që e kam thëne e them dhe kudo që do jem do ta them me krenari. Garantoj që do jem një ambasador i popullit shqiptar kudo në botë dhe do të mbroj të drejtat e popullit tim në çdo moment. Nuk më duket aspak e arsyeshme që këto ditë disa media të shkruara sportive kanë hedhur baltë mbi emrin tim. Nëse disa individë të caktuar kanë mision përçarjen dhe largimin nga zemra ime kombin kuq e zi, kjo s’ka për të ndodhur kurrë dhe asnjë s’do t’ia arrijë që mua të më përdorë për të futur përçarjen. Kudo ku kam qenë dhe kudo ku do jem do të mbaj krenar flamurin kuq e zi dhe atë të Kosovës. Në prezantimin tim në Gjermani, ku duhej të këndoja një këngë, këndova himnin e kombëtares kuq e zi. Nuk dua që interesa personale të individëve të caktuar të njollosin kombëtaren dhe për më keq të fusin përçarjen apo ta ushqejnë atë. Unë personalisht do të angazhohem që një fenomen i tille të mos ekzistojë kurrë më në kampin kuqezi.
Ne jemi një KOMB, kemi një FLAMUR dhe unë Granit Xhaka garantoj çdo shqiptar se do mbaj lart emrin SHQIPËRI (ALBANIA) dhe do jem një mbështetje për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Me nderime dhe respekte për të gjithë,
Nga Granit Xhaka dhe familja!