Pas mosaktivizimit të kapitenit të Vllaznisë, Erdenis Gurishta, në miqësoren e djeshme të Kombëtares së Shqipërisë ndaj Armenisë, në Shkodër janë shtuar pakënaqësitë për trajnerin Edoardo Reja dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

Kështu, sipas shumë prej tifozëve, nuk është aspak normale një situatë e tillë, kur u aktivizuan katër futbollistë të Partizanit dhe nuk kishte vend për Gurishtën.

Vërtetë, kapiteni i Vllaznisë ka pasur konkurrencë në pozicionet ku luan ai, në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe në qendër, por ky nuk është justifikim.

Në rrjetet sociale madje tifozë të ndryshëm shkojnë edhe më tej, duke kërkuar largimin e stafit teknik, me në krye trajnerin Edoardo Reja, por edhe largimin e presidentit të FSHF, Armando Duka, teksa pakënaqësitë e ekzistuara ndaj tyre janë të shumta.

I pakënaqur me mosaktivizimin duket edhe vetë kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, sepse priste sadopak minuta, por lënia në stol duket se e ka mërzitur jo pak.

Megjithatë, në një situatë të tillë kur largimi i trajnerit Edoardo Reja është çështje ditësh, mbetet për t’u parë e ardhmja e Erdenis Gurishtës në Kombëtaren e Shqipërisë, teksa natyrisht ai mbetet një ndër futbollistët më cilësorë jo vetëm të Vllaznisë, por edhe i gjithë kampionatit shqiptar.
Maringlen ZHIVANI