Java e gjashtë e kampionatit të moshave të Kategorisë së Parë ka prodhuar për Akademinë Shkodra me dy grupmoshat e saj, U-14 dhe U-15 dy humbje në përballjet e tyre respektivisht ndaj Vorës dhe Lushnjës.
Kështu, ekipi i 14-vjeçarëve të Shkodrës ka dalë i humbur nga ndeshja me Vorën, ballafaqim i vlefshëm për javën e gjashtë. Kjo ndeshje është luajtur në stadiumin e Vorës dhe në fund të saj kanë qenë vendasit, të cilët kanë fituar me rezultatin 3-2.
Ata kanë besuar deri në fund tek fitorja dhe ia kanë dalë ta bëjnë ndaj ekipit shkodran. Këta të fundit ngushtuan diferencën në pjesën e dytë me anë të Markut, pasi Vora kishte shënuar dy gola në pjesën e parë.
Pas këtij goli, vendasit shënojnë sërish dhe dërgojnë rezultatin në 3-1. Megjithatë, Vajushi ngushtoi sërish diferencën, duke bërë që rezultati të shkonte në 3-2. Në fund, i gjithë takimi është mbyllur në shifrat 3-2 për Vorën. Pas kësaj humbjeje, ekipi i Shkodra U-14 renditet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit në kuotën e nëntë pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.
Ndërkohë, edhe Shkodra U-15, në ndeshjen e saj ndaj Lushnjës është mundur nga këta të fundit me shifrat 3-2. Kjo sfidë u zhvillua në Lushnjë dhe kanë qenë tre gola të vendasve në pjesën e parë dhe të dytë që i kanë dhënë humbjen ekipit të Shkodra U-15.
Në fakt, pavarësisht rezultatit, Shkodra U-15 kontrolloi mirë topin dhe lojën në disa momente. Futbollistët shkodranë tentuan të reagonin pas golave, teksa shënuan dy gola me anë të Serxho Prendit, por nuk ia dolën me sukses të merrnin qoftë edhe një pikë.
Tashmë pas kësaj humbjeje, Shkodra U-15 renditet në vendin e 11-të në tabelën e klasifikimit, në kuotën e gjashtë pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani. /Maringlen ZHIVANI/
U-14: Vora-Shkodra 3-2
Golat për Shkodrën: Marku, Vajushi
Formacioni i Shkodrës: Demiraj, Muça, Gucija, Halili, R. Sukaj, Vajushi, A. Sukaj, Gshteja, Kukaj, Prendi, Marku Tr: Rudi Piraniqi
U-15: Lushnja-Shkodra 3-2
Golat për Shkodrën: Prendi (X2)
Formacioni i Shkodrës: Mlloja, E. Vulaj, Darçaj, Dukaj, A. Vulaj, Prendi, Sheqi, Fikaj, Boka, Vajushi, Pishtari (u aktivizuan: Hoti, Bajraktari) Tr: Taip Piraniqi