Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho ka vënë në diskutim vendimin e Liverpool për të shpenzuar plot £75 milionë për blerjen e mbrojtësit Virgil van Dijk. Liverpool vendosi rekordin botëror për shumën e paguar ndonjëherë për blerjen e një mbrojtësi, pasi pagoi £75 milionë për blerjen e Van Dijk nga Southampton. “Mendoj se personi i vetëm që duhet të flasë për atë në mënyrë specifike është Jurgen Kloop.

Nëse do të isha në vendin tuaj, do ta pyesja për komentet e tij një vit më parë”, deklaroi Mourinho duke thumbuar trajnerin gjerman, për deklaratat e tij të një viti më parë, kur Mourinho dhe Manchester United shpenzonin vlera astronomike për blerjen e futbollistëve, si Pogba.

“E vërteta është që nëse ata mendojnë se një futbollist është i duhur dhe e duan me çdo kusht, atëherë duhet të paguajnë shumën, ose për ndryshe nuk blejnë dot futbollistin, pasi kështu funksionon tregu. Ndaj, kur krahasojmë shumën e parave që disa menaxherë dhe klube shpenzojnë, në raport me jo 10 vite më parë, por të paktën 3 vite, atëherë krahasimi është i pamundur. Nuk mund të krahasohen dy realitetet. Virgil van Dijk është mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, por a është ai më i mirë se Maldini, Bergomi ose Ferdinand? Nuk mund ta thuash dot, kështu funksionon tregu. Kështu që nuk mund të kritikohet Liverpool për këtë gjë, pasi kjo është mënyra si funksionon: ose paguan një shumë të madhe parash për futbollistin që dëshiron, ose nuk e bën dot tëndin lojtarin”, deklaroi Mourinho./telesport/