Jose Mourinho është ende i papunë pasi u largua nga Roma, por ai ka punuar në një taktikë e cila mund ta ndryshojë futbollin përgjithmonë. 61-vjeçari u shkarkua nga ekipi italian në muajin janar, një vendim i cili la një pjesë të madhe të tifozëve të Romës në lot, duke marrë parasysh faktin se Mourinho i kishte udhëhequr ata drejt dy finaleve radhazi në Evropë, duke fituar Ligën e Konferencës në 2022.
Ky ishte trofeu i parë i Romës në 11 vitet e fundit dhe Mourinho u bë trajneri i vetëm në futbollin modern i cili fiton tripletën e UEFA-s: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Përkundër faktit se është pa ekip, Mourinho ka zbuluar për mediumin The Telegraph se ai po punon për taktika të reja dhe inovacione që do t’i sjellte tek klubi i tij i ri, duke përfshirë një strategji e cila do ta ndryshonte mënyrën se si luhet futbolli modern përgjithmonë.
‘The Special One’ beson se një trajner i cili është në kërkim të rezultatit, do ta zëvendësojë portierin e tij për një lojtar shtesë. Ky lojtar shtesë do të jetë i obliguar që të vesh fanellën e portierit, por dorezat janë opsionale dhe ai do të ishte në gjendje të luante si lojtar shtesë dhe të kontribuonte në sulm. Kur u pyet nëse do ta përdorte vet këtë taktikë, Mourinho tha: Të kesh një lojtar shtesë aty, kur kundërshtari po mbrohet në pjesëfushën e vet dhe kanë mbetur edhe 10 minuta? Ta provojmë, po.
“Pse luani me një portier, edhe kur ai është i mirë me këmbë, pothuajse në mesfushë, nëse mund ta bëni këtë me një lojtar të duhur? Unë e shoh këtë zëvendësim duke ndodhur”, u shpreh tekniku portugez./Telegrafi/