Një penallti e anuluar në favor të Bylisit krijoi tension në “Adush Muça”. Një ndeshje e nisur me supergola u mbyll në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Orlando Kukës i doli totalisht situata nga kontrolli, ndonëse veproi më shumë se drejt që e ndryshoi vendimin për të akorduar atë 11-metërsh në të 90- ën minutë. Dukshëm topi kapi shpinën e Behar Ramadanit, ndaj këtu nuk ka vend për diskutime.
Dyshimet lindin për formën që u përdor për anulimin e vendimit. Nuk ka asgjë të keqe që kryesori i një ndeshjeje të zhbëjë një vendim të dhënë, pasi konsultohen me anësorët. Por, në momentin që ndërhyn delegati apo vëzhguesi, atëherë gabimi është më shumë se i rëndë.
Dhe pikërisht këtu gaboi kryesori, që ka dalë në konkluzion pasi ka dëgjuar variantin e Bujar Pregjës. Delegati në këtë rast nuk ka asnjë të drejtë që të ndikojë në vendim dhe aq më pak arbitri të dëgjojë fjalën e tij. Një tjetër moment që arbitri nuk diti ta menaxhonte, erdhi kur po diskutonte me ndihmësit e tij, Emigers Gançi dhe të 4-tin Roxhers Muska.
U rrethua nga lojtarë të Bylisit dhe Vllaznisë, përfshi edhe nga ata që vinin nga stoli, por kurrë nuk u mundua ta spastronte zonën duke treguar edhe të verdhët. Një mungesë e theksuar autoriteti. Jurgen Goxha mori të verdhë në të 41-tën për protesta, por u fal në të paktën tri raste kur vazhdonte të ankohej tek arbitri.
Cakun e kaloi në fund, kur mundohej të kapej me dikë në pankinën e Vllaznisë dhe për ta qetësuar u fut Mirsad Jonuz. Më i rëndë akoma ishte gjesti pas vërshëllimës finale, kur hoqi fanellën dhe ia vendosi para fytyrës Orlando Kukës. Kryesori ia dha të kuqin vetëm pasi janë futur në tunel, kur mbrojtësi nisi ta ofendonte.
MOVIOLA
6′ Zhunior kombinon me Gligorovin dhe futet në zonë, por mbahet me dorë nga Ndreca. Braziliani nuk rrëzohet, e megjithatë ka faull dhe mund të jepej penallti.
42′ Ka rrëmujë në zonë dhe shkodranët pretenduan për një tjetër 11-metërsh pas dyshimeve për prekje të topit me dorë nga Goxha. Arbitri nuk kishte të njëjtin mendim, ndërsa në vazhdimin e aksionit shënon Gilman Lika golin e barazimit 2-2. Moment i dyshimtë dhe pamjet janë të paqarta.
64′ Barjamaj gjuan nga jashtë zone, por topi bllokohet nga Ramadani. Pretendon për penallti Bylisi për prekje me dorë nga lojtarët e Vllaznisë, por pamjet dëshmojnë se përplaset në trupin e mbrojtësit.
90′ Guindo shërben për Shkallën dhe gjuan, por topi ndalet nga Ramadani. Pretendohet për prekje me dorë, por dukshëm përplaset në shpinën e lojtarit të Vllaznisë. Orlando Kuka akordon direkt 11-metërsh dhe ka protesta të miqve. Kryesori sinjalizohet se nuk ka kontakt dhe pas konsultave zhbën vendimin e penalltisë. Vendim totalisht i drejtë.