Ndeshja e luajtur të dielën në Shkodër në mes Vllaznisë dhe Apolonisë është shoqëruar me vendime të diskutueshme të arbitrave. Këta të fundit e kanë penalizuar jo pak ekipin vendas me vendimet që kanë dhënë dhe pikërisht në momentet kur rezultati ka qenë ende i barabartë 0-0.

Minuta 47-të

Anësori Koçiaj ngriti flamurin për një pozicion jashtë loje në një aksion për gol të Vllaznisë, por pamjet filmike tregojnë se ai ka gabuar. Isaevski e ka marrë topin brenda zonës pasi është prekur më parë nga një lojtar i Apolonisë. Në këtë mënyrë anësori u ka hequr mundësinë vendasve që të shënonin në një situatë të tillë të volitshme.

Minuta 49-të

Edhe këtu rezultati është ende 0-0 dhe kemi sërish penalizim të kuqebluve. Një kros i ardhur nga e djathta shkon tek Demir Imeri që me kokë gjuan dhe topi përfundon në rrjetë, por anësori Koçiaj sërish ngre flamurin për pozicion jashtë loje duke e anulluar golin.

Nga pamjet filmike duket qartë se anësori ka gabuar sërish, sepse në momentin që lojtari i Vllaznisë ka krosuar topin, Imerin e mban në lojë kapiteni Sota i Apolonisë që ndodhet pas shpinës së kundërshtarit.

Dy gabime këto që mund të kishin ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe mund të ishin vendimtare, por Vllaznia për fat më pas arriti të shënonte dy gola të tjerë dhe ta fitonte ndeshjen duke e sfumuar disi këtë arbitrim jo korrekt të treshes së arbitrave.