Ndeshja Erzeni-Vllaznia e gjykuar nga Emanuela Rusta, rezultoi të ishte një nga më të përfolurat e javës. Nëse rishohim rastet e dyshimta mund të themi se ka disa momente të dyshimta, teksa mungon edhe një karton i kuq.
4’ Pas krosimit nga e majta e sulmit, Balaj godet me kokë dhe çon topin në rrjetë, por anësori ngre flamurin për një pozicion të parregullt. Konfirmohet edhe nga VAR-i. Pamjet tregojnë se vendimi është i drejtë. (VIDEO)
26′ Rast për penallti. Meçja rrëzohet në zonë pas një dueli me Stojanoviçin. Rusta vazhdon lojën dhe VAR-i nuk ndërhyn, mbetet moment i dyshimtë.
35’ Mihana depërton bukur në zonë dhe pengohet duke pretenduar për një penallti. Pas një konsultimi me VAR-in, Rusta vendos që loja të vazhdojë. Pamjet tregojnë se ka një kontakt me duar mes lojtarëve, por nuk shihen elemente flagrante për penallti.
52’ Sadiki shkakton një ndërhyrje të gabuar ndaj Balajt, teksa lojtarët shkodranë protestojnë për kartonin e dytë të verdhë. Pamjet tregojnë për një ndërhyrje të ndëshkueshme, me Rustën, që ka vendosur ta tolerojë këtë moment. (VIDEO)
87-89’ Balaj rrëzohet në zonë dhe plasin protestat nga shkodranët për një penallti. Pas një konsultimi të gjatë me VAR-in, Rusta akordon 11-metërsh dhe pamjet i japin të drejtë.
90+4-90+8’ Pas një krosimi në zonë Gomes godet me kokë dhe ndëshkon Xhikën. Goli anulohet nga VAR-i për pozicion jashtë loje milimetrik.