Java e 14-të e Superiores ka rezultuar problem atike sa i përket gjykimit dhe rasteve të dyshuara për moviolë. Dy janë rastet flagrante të kësaj jave, që kanë të bëjnë me penallti të pa dhëna, një për Tiranën ndaj Kukësit, si dhe një për Laçin ndaj Egnatias.

Kështu që kemi gabime të gjyqtarëve në fushë dhe VAR-it në këto dy sfida. Gjithashtu edhe në këtë javë ka vijuar falja e kartonëve dhe tolerimi i ndërhyrjeve të rënda apo gjesteve antisportive, ku gjithçka kulmoi me veprimin e pakuptimtë të trajnerit të Kastriotit, që nuk kontrolloi nervat dhe goditi një lojtar të Skënderbeut në fushë.

TIRANA-TEUTA 2-1 Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), D.Rexha (Tiranë), E.Burgu (Fushë-Krujë) / VAR: E.Jorgji (Elbasan), R.Avdo (Tiranë)

Ka qenë një ndeshje e errët për Laver Allën dhe VAR-in. Në sfidën më të rëndësishme të javës së 14-të, gjyqtari gabon, ashtu siç bën edhe VARi. Një penallti e pa dhënë. 12’ Seferi pason tek Ismajlgeci, ky i fundit futet në zonë, por kapet në pozicion jashtë loje. Protestojnë bardheblutë, por pamjet tregojnë se anësori ka pasur të drejtë. 45’ Gjumsi jep një pasim në zonë për Seferin, i cili pengohet nga Ivanoviç.

Për Allën penallti, gjyqtari drejton dorën te pika e bardhë. Ndërhyn VAR-i për dy minuta, ndërsa më pas Alla shkon të kontrollojë vendimin e tij. Pas tre minutash konsulta me monitorin Alla anulon penalltinë. Gabim i VAR-it. Penalltia është, gabim edhe i Allës që ndryshoi vendimin e tij të saktë në fillim, por ndikohet nga pamjet. 65’ Kërkohet penallti nga Teuta për një prekje të topit me dorë nga Limaj.

Pamjet filmike edhe pse nuk janë të pastra i japin të drejtë gjyqtarit Alla. 88’ Kallaku, L.Vila, Daja dhe shumë lojtarë të tjerë protestojnë ashpër tek Alla. Madje, e shtyjnë. Gjyqtari nuk ndëshkon asnjë me të verdhë. Gabim i tij, duhet të kishte treguar autoritet.

KUKËSI – PARTIZANI 2-1 Gjyqtarë: F. Lata (Durrës), F.Lamaj, R.Mersinasi (Durrës) / VAR: K.Barjamaj, A. Zalla (Tiranë)

Kukësi-Partizani ishte një ndeshje me pak raste të dyshimta. Arbitri kryesor i ndeshjes, Florjan Lata, i ndihmuar edhe nga rrjedhshmëria dhe korrektësia e aksioneve, nuk e kërkoi asnjëherë ndihmën e VAR-it. Një nga momentet e pakta të dyshimta ndodhi në minutën e 39-të, kur Cara dështoi të shënonte, para se arbitri anësor të ngrinte flamurin për pozicion jashtë loje.

Një moment i dyshimtë, që do të hante shumë diskutim nëse Cara e dërgonte në rrjetë. Në shtesë Albion Marku ndërhyri ashpër ndaj Dragoshit dhe duhej të ndëshkohej me karton të verdhë, diçka që Lata nuk e pa të arsyeshme.

EGNATIA – LAÇI 0-2 Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), N.Bregasi (Tiranë), J.Podgorica (Shkodër) / VAR: J.Xhaja, D.Myftari (Tiranë)

Takimi Egnatia-Laçi u gjykua nga një treshe e përzier me kryesor Feratajn nga Patosi dhe ndihmës të tij ishin Bregasi nga kryeqyteti dhe Podgorica nga Shkodra. Loja pati dy raste për moviolë. Në minutën e 13-të, gjatë një dueli për topin Krivanjeva rrëzon Guindon në zonë me takën e ngritur. Arbitri vijon lojën, por gabon pasi pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me penallti.

Në minutën e 43-të, Mazrekaj gjatë një manovre në zonë ndjen shqetësimin e Shtubinës dhe ai rrëzohet në zonë. Gjyqtarët vijojnë lojën duke mos i marrë në konsideratë pretendimet e miqve. Nga pamjet del se arbitrat nuk kanë vepruar drejt, pasi Shtubina ka shkelur Mazrekajn.

SKËNDERBEU-KASTRIOTI 2-1 Gjyqtarë: K.Shahini (Durrës), D.Myftari, D.Agaraj (Tiranë) / VAR: F.Lata (Durrës, N.Bregasi(Tiranë)

Gjatë lojës pati vetëm një rast për moviolë, ku në minutën e 25-të krutanët, pas harkimit në zonë nga Prodani, pretenduan për një prekje të topit me dorë nga Vitija. Por pamjet tregun se topi u përplas në trupin e mbrojtësit dhe gjyqtarët vepruan drejt me vijimin e lojës.

Ndërsa fundi i ndeshjes është çështje më vete, ku gjyqtari kryesor Klodian Shahini detyrohet të bëjë rolin e stjuardit duke larguar trajnerin Ndreu pasi shkelmoi një lojtar të Skënderbeut në fushë.

DINAMO – VLLAZNIA0-0 Gjyqtarë: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë), Xh.Mani (Tiranë); VAR: K.Cjapi, M.Shazivari Dinamo-

Vllaznia u gjykua nga arbitri me stemën e FIFAs, Eldorian Hamiti. Gjyqtari nga Lezha toleroi lojtarët e të dyja skuadrave për ndërhyrjet e rënda, duke u mjaftuar me kartonë të verdhë. Natyrisht, ai mbajti një standard sa i përket vendimeve. 42’ Mbrojtësi malazez i Dinamos, Aleksandar Sofranak, bëri një ndërhyrje të rëndë me takën e ngritur ndaj Aralicës.

Gjyqtari Hamiti i jep vetëm të verdhë Sofranakut, ndërsa ishte në limitin e të kuqit. 44’ Gurishta godet në mënyrë të pavullnetshme me shkelm në gjoks Mihanën. Hamiti e kalon vetëm me të verdhë. Rasti ishte në limitin e të kuqit dhe arbitri mendoi të vepronte si në ndërhyrjen e mëparshme.

56’ Vllaznia pretendon për penallti, duke reklamuar një prekje të topit me dorë nga Besir Demiri brenda zonës, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Hamiti vazhdon lojën dhe pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit, pasi lojtari blu nuk e kishte prekur topin me dorë