Gabimet e gjyqtarëve nuk ndalen as në javën ku dukej se presioni ishte më i ulët nga ana e skuadrave dhe ambientit. Në javën e fundit u dhanë 4 penallti dhe të gjitha ishin të sakta, ku ndikim pati edhe konfirmimi i VAR-it duke riparuar përgjumjen e gjyqtarëve kryesorë.

Goli i parë i Egnatias ishte i dyshimtë dhe ndonëse rasti mori pesë minuta kohë për t’u kontrolluar në VAR, sërish vendimi u mor i gabuar. I saktë kartoni i kuq i dhënë për Heriç të Vllaznisë.

EGNATIA – VLLAZNIA 3-0

Gjyqtarë: K. Shahini (Durrës), A. Zalla (Tiranë), T. Kasa (Vlorë) / VAR: K. Cjapi, I. Tratari (Fier).

Egnatia-Vllaznia u gjykua nga një treshe e përzier, me kryesor Klodian Shahinin të kolegjiumit të kryeqytetit. Takimi pati dy raste për moviolë, ku goli i parë i Egnatias, ndonëse u kontrollua për pesë minuta në VAR, sërish nuk u mor një vendim i argumentuar.

Më shumë ishte pozicion i parregullt dhe mund të mos akordohej goli i parë i Pedros. Ndërsa i kuqi për Heriç të Vllaznisë ishte më se i saktë.

31’ Pedro Augusto kalon Egnatian në avantazh, por që goli të quhej i vlefshëm u shpenzuan pesë minuta kohë për t’u kontrolluar në VAR. Ndonëse u mor gjithë ajo kohë dhe u vendos për gol, gjyqtarët mund të kenë gabuar në këtë rast, bazuar nga pamjet e servirura, Pedro ka shënuar nga pozicion jashtë loje. Thuhet kështu, pasi mungon sqarimi i detajuar nga ku mund të jenë bazuar gjyqtarët në furgonin e VAR-it, pasi prekja e Dianjesë së Vllaznisë nuk është nga ato që klasifikohen si starti i një aksioni të ri.

64’ Heriçi i Vllaznisë ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë nga arbitri Shahini dhe lë Vllazninë me 10 lojtarë në fushë. Vendim i saktë i gjyqtarit.