Klajdi Kola ka bërë moviolën e penalltisë së dhënë në favor të Tiranës në derbin kundër Partizanit. Ish-gjyqtari i Superiores doli kundër rrymës duke thënë se arbitri i fushës, Juxhin Xhaja dhe ai i VAR-it, Eldorian Hamiti kanë gabuar në vendimin për 11-metërsh.

Sipas tij teknologjia ndërhyn vetëm atëherë kur rasti është flagrant. Ai e justifikoi me faktin se ende flitet ishte apo nuk ishte penallti dhe në këto kushte, VAR-i s’mund të ndërhyjë. Në panelin e emisionit “Rubrika Sportive”, Kola tha:

“Ky nuk është një rast fakt apo një rast bardhezi. Edhe nëse ka kontakt, se nuk e vërtetojmë 100 përqind, aty nuk ka pengim. Aty është një përplasje mes lojtarëve. Ata janë duke vrapuar. Jo çdo kontakt është penallti.

Në opinionin tim, asnjë filling nuk të jep përshtypjen se ky është penallti. Që në momentin kur bëhen kaq shumë pyetje nuk mund të ndërhyjë VAR. Duhet të jetë fakt i padiskutueshëm. Nuk mund të vihet në zotërim lojtari i Tiranës. Asnjëri s’pretendon për 11-metërsh këtu”./newsport/