Në Kukës pati dy gola të anuluar dhe dy penallti të pretenduara nga vendësit, me arbitrat që morën vendime të drejta, nisur edhe nga pamjet filmike, teksa sistemi VAR konfirmoi gjithçka. Arbitër kryesor ishte Kridens Meta, ndërsa në teknologji Andi Koçi.
Ja rastet:
69’ Një goditje e fortë e Ndrecës shkon në trupin e njërit prej lojtarëve shkodranë, me vendësit që pretendojnë për penallti, por kryesori Meta vazhdon lojën. Nga pamjet, nuk duket një rast i pastër për 11-metërsh dhe duket i drejtë vendimi, i cili nuk rishihet as nga VAR-i.
71’ Anulohet një gol për Kukësin, me Ebert që gjendet në pozicion jashtë loje. E anulon anësori në fushë, duke e konfirmuar më pas edhe VARi, duke u dhënë të drejtë gjyqtarëve në fushë.
75’ Zogoviçi ndërhyn ashpër ndaj Rashitit brenda zonës, me sulmuesin që kërcen në ajër, por duket se portieri ka prekur fillimisht topin.
Vetëm rivënie anësore për Metën, me vendimin që duket i drejtë. 94’ Xhonson shënon pas një topi të kthyer nga Gj. Taipi, por është gjendur në pozicion jashtë loje. E konfirmon më pas edhe VAR-i.