Partizani ka “skuqur” Tiranën, pasi ka triumfuar në derbin e kryeqytetit, të rikthyer pas një viti mungese të bardhebluve. Goli i realizuar nga Mala në pjesën e parë ka qenë mëse i mjaftueshëm që kryeqyteti të zgjohet të shtunën i kuq.

Ishin pikërisht të kuqtë e udhëhequr nga trajneri Skënder Gega ata që dominuan duelin, për të marrë edhe maksimumin prej tij, tre pikë shumë të rëndësishme. Falë fitores 0-1 ndaj Tiranës në derbin e javës së 6-të, skuadra e Partizanit ka marrë kreun e klasifikimit të Kategorisë Superiore, në kutëon e 13 pikëve, dy më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë.

Nga ana tjetër, kriza vijon në kampin bardheblu, madje duke u theksuar edhe më shumë, jo vetëm për shkak të disfatës në përballjen ndaj kundërshtarit historik, por mbi të gjitha për shka të lojës, shumë larg pretendimeve të trajnerit Ze Maria.

Super atmosferë në “Selman Stërmasi” për derbin e kryeqytetit, me një stadium thuajse tërësisht të ezauruar, me përjashtim të tribunave anësore që janë jashtë funksioni. Homazhe për të ndjerin tifoz të Partizanit, Leo, që u nda nga jeta vetëm një ditë më parë.

Mbase jo vetëm për shkak të formës sportive dhe situatës pozitive që po përjeton këtë fillim sezoni, por edhe të motivuar nga kjo atmosferë, Partizani ka dominuar dhe ka dalë i fituar nga derbi.

Në fakt ishin bardheblutë ata që dhanë sinjalin e parë në duel, me Edon Hasanin që në minutën e 12’ ka shpërdoruar shansin më të mirë për të kaluar Tiranën në avantazh, por i vetëm përballë Hoxhës, ka dërguar topin jashtë kuadratit.

Vetëm 9’ minuta më pas, Partizani ka bërë krejt të kundërtën, me Mala që ka fituar duelin me mbrojtësinë dhe dërgon topin në rrjetë për të kaluar të kuqtë në avantazh.

Tirana-Partizani 0-1

Shënues: Mala 21’

Tirana: Lika, Hoxhallari, Berisha, Turtulli, Maveje, Daja, Hasani, Kobinah, Sentamu, Blazhevski.
Trajner: Ze Maria

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Mala, Asani, Mensah, Bardhi.
Trajneri: Skënder Gega