Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë është mposhtur sot me përmbysje mes terrenit të rënduar të “Selman Stërmasi” përballë Sllovakisë me rezultatin 2-3, në sfidën e 6-të të vlefshme për kualifikueset në Kampionatin Europian 2019.

Një kompeticion që do të zhvillohet vitin e ardhshëm mes Italisë dhe San Marinos. Pas kësaj humbje të rëndë, duke shpërdoruar avantazhin e dyfishtë ndaj sllovakëve, kuqezinjtë shpërdorojnë përfundimisht shanset për kualifikim.

Me 6 ndeshje të zhvilluara Shqipëri a U-21 renditet në vend të parafundit të klasifikimit në Grupin 2, në kuotën e 6 pikëve, duke lënë pas vetëm Estoninë në vend të 6-të me 1 pikë.

Kuqezinjtë e udhëhequr nga trajneri Alban Bushi kanë kaluar të parët në avantazh, vtëm një minutë para përfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë me anë të Rey Manaj.

Sulmuesi i Inter që luan në Huazim te Granada në Spanjë, i rikthyer te Shpresat e Shqipërisë ishte protagonist kryesor në golin e shënuar në të 44’.

Nisi pikërisht nga këmbët e tij, dhe pas një kombinimi perfekt nga e majta me Cekën, ishte sërish Manaj, ai që konkludoi saktësisht atë aksion, duke dërguar topin në rrjetë.

Vetëm tre minuta nga rifillimi i takimit, përfaqësuesja sllovake ka barazuar shifrat. Ishte Spalek ai që ka rivendosur ekuilibrat, me një gol të shënuar falë një gjuajtje fluturimthi në të 48’.

Kuqezinjtë nuk kanë pranuar të dorëzohen. Është sërish Manaj ai që udhëheq Shpresat, por kësaj here pas një super inkursioni të Seferit, që pasi rrëmben një top në mesfushë, fiton duelin e shpejtësisë dhe shërben në mënyrë perfekte në zonë.

Aty, ku Manaj, me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë dhe të rikalojë kuqezinjtë në avantazh, të paktën provizorisht.

Me 10 minuta nga përfundimi i takimit, pikërisht kur kishin spostuar lojën në gjysmëfushën sllovake, madje me disa raste të shpërdoruara, Shpresat kuqezi janë zënë në befasi, duke pësuar golin e barazimit 2-2, të shënuar nga Dimun në të 80’.

Gati të shthurur në minutat e fundit në mbrojtje kuqezinjtë pësojnë golin e tretë, duke i dhënë kështu mundësinë Sllovakisë që të përmbysë rezultatin në 2-3 falë golit të Mraz në të 87’.

Shqipëri U21-Sllovaki U21 2-3

Shënues: Manaj 44′, 52’ / Spalek 48’, Dimun 80’, Mraz 87’

Shqipëria U-21: Sherri, Ceka, Toli, Tafa, Maloku, Bare, Ndoj, Kallaku, Çekiçi, Seferi, Manaj.
Trajner: Alban Bushi

Sllovaki U-21: Rodak, Vavro, Urblik, Lesniak, Cernak, Mraz, Sulek, Dimun, Hancko, Chvatal, Spalek.
Trajner: Oto Brunegraf