Barazimi 3-3 ndaj Juventusit, i cili shoqëronte një barazim me të njëjtat shifra ndaj Interit pak javë më parë dhe një fitore 2-1 ndaj Lacios, ka kthyer Sasuolon në mrekullinë e radhës të kampionatit italian, ku dukej se pakkush mund të afrohej me atë që po bën Atalanta prej 2-3 vitesh.
Skuadra e drejtuar nga De Zerbi po luan një futboll shumë të bukur ofensiv dhe këtë e tregon fakti se kanë shënuar gola me një rregullsi të admirueshme, edhe ndaj emrave më të mëdhenj të kampionatit italian.
Tashmë Sasuolo është sulmi i pestë më i mire në Serinë A me 62 rrjeta të tundura në 33 ndeshje, duke kaluar skuadra si Roma, Napoli e Milan.
Por ajo që bie në sy është fakti se askush në kampionatet e mëdha në Europë nuk ka bërë si kjo skuadër që pas rikthimit pas pauzës së pandemisë. Sasuolo ka shënuar të paktën 3 gola në 5 nga 8 ndeshjet që ka luajtur në këtë periudhë. Një rekord i veçantë i cili ka ngjitur ekipin nga mesi i tabelës, në vendin e 8 dhe e ka kthyer në pretendente serioze për Europën dhe vendin e 7 që i përket Milanit, për momentin vetëm 6 pikë larg. /vipsport/