Katër ndeshje dhe po aq fitore. Në muajin që dukej se do të ishte vendimtari për Tiago Motën, Juvja ka hedhur një hap të madh drejt cilësisë.
Të paktën deri më tani, por “Zonja” duket se ka gjetur vazhdimësinë dhe shkurti po duket si muaji i artë i Tiago Motës deri më tani në eksperiencën e tij si trajner i bardhezinjve. Juventusi ka zhvilluar 4 ndeshje gjatë këtij muaji dhe ka fituar fillimisht me Empolin 4-1 e më pas me Komon në transfertë në shifrat 2-1.
Po me të njëjtin rezultat Mota triumfoi edhe kundër PSV-së në shtëpi në sfidën e parë “play off” të Ligës së Kampioneve. Fitorja më e rëndësishme duket se erdhi në derbin e Italisë kundër Interit, ndërsa tashmë e presin edhe 3 ndeshje të tjera.
Të mërkurën Juvja do të ndeshet me PSV-në në sfidën vendimtare ku do të flitet për kualifikimin në fazën tjetër në Champions. Më pas do të ndeshet në transfertë me Kaljarin, për ta mbyllur muajin me sfidën e Kupës së Italisë kundër Empolit.