
Tre atletë të Vllaznisë kanë arritur të zënë vende të para dhe të shpallen kampionë në Kampionatin Individual Dimëror që u zhvillua ditën e djeshme në Tiranë. Ata janë Bajram Muça, Elvedin Meti dhe Durjan Idrizaj. Muça ka konkurruar në garën e 60 metrave me pengesa dhe aty i ka sfiduar të gjithë kundërshtarët e tij teksa me kohën 8″39 ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion në këtë garë. Meti ndërkohë ka konkurruar si zakonisht në 400 metra dhe aty ka arritur kohën 50″42 duke zënë vendin e parë. Më i miri është shpallur edhe Idrizaj në garën e kërcimit trehapësh teksa ka kërcyer 13.80 metra. Këto tre sportistë pritet të jenë edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura që do të zhvillohet pas disa kohës. Ndërkohë nesër po në Tiranë do të zhvillohet edhe Krosi Kombëtar ku atletët e Vllaznisë ashtu si dhe vitin e kaluar, do të tentojnë të fitojnë titullin kampion sepse dominojnë vazhdimisht në gara të tilla. Viti 2013 në këtë mënyrë ka nisur mbarë për atletët e Vllaznisë. Tre vendet e para të tre sportistëve të saj në garat e Kampionatit Individual Dimëror janë hapi i parë i shumë sukseseve që do arrihen në garat e ardhshme.
www.shkodrasport.com