Ish-futbollisti i Tiranës Shkëlqim Muça kritikoi paraqitjen e skuadrës së Shqipërisë në sfidën kundër Kazakistanit, i cili përfundoi në barazim 0-0.

Në studion e “Rubrikës Sportive”, ai kritikoi teknikun Reja për pozicionimet e gabuara të disa lojtarëve dhe mungesën e harmonizimit në lojë.

Muça vlerësoi sulmuesin Armando Broja për paraqitjen në fushë.

“Natyrisht nuk prisnim shumë në drejtim të lojës dhe harmonizimit. Pamë mangësi në aspektin tekniko-taktik, isha skeptik për pozicionin të lojtarëve. Abrashi dhe Veseli ishin jashtë pozicionit, edhe pse mundohen të japin maksimumin. Lojtari para mbrojtjes nxjerr topin dhe kalon topi në sulm me vertikalizime.

Abrashi ikën përpara, e lëshon pozicioni. Trashi pati tentativa për të marrë krahun dhe pasuar. Veseli nuk bëri asnjë krosim, vetëm një në të dytën. Ishte inekzistent. Mbante ekuilibrin mbrapa. Bare kishte marrë krahun djathtë. Manaj nuk ekzistonte fare. I vetmi që më bindi ishte Broja.

Është aftësi të dilte para portierit. Të tjerët, Kallaku bëri lojë të mirë teknikisht, por duhet të lëvizë më shumë. Edhe ai nuk ishte në pozicion natyral. Reja luajti dobët sot, deri në minutën e 82-të nuk ndërhyri fare. Në minutën e 60-të duhej të bënte ndryshimet. Duhej të bënte 3-4 ndryshime.

Tani duhet të duket dhe dora e trajnerit dhe të ketë lojë logjike dhe na duhen kombinacione. Në 25-30 metrat e fundit, ku nuk dukemi fare”, u shpreh Shkëlqim Muça.