Fitorja e Teutës me Vllazninë, ndalesa e papritur e Partizanit përballë Apolonisë, fitorja me shumë polemika e Laçit ndaj Kukësit, suksesi i Tiranës, si dhe dorëzimi i Skënderbeut përballë Kastriotit. Gjithçka në një analizë të hollësishme të Shkëlqim Muçës për javën e 22-të të Kategorisë Superiore në “Rubrika Sportive” në RTSH.

KUKËSI-LAÇI 1-2: “Në këtë periudhë gjykimi duhet të jetë në nivelin e kampionatit, sepse skuadrat po luftojnë kokë më kokë. Mendoj se Laçi ishte më kërkues për ta fituar ndeshjen. Shënoi i pari, por i kishte mundësitë të dyfishonte. Rasti i penalltisë, unë mendoj se është një faull jashtë zone. Si ndeshje, kurbinasit kanë më shumë lëvizshmëri, e merituan fitoren më shumë se Kukësi, duke u bazuar në mënyrën se si dy skuadrat u sollën në fushën e lojës”.

TEUTA-VLLAZNIA 1-0: “Teuta ishte shumë e kujdesshme. Ishte një ndeshje delikate, sepse Vllaznia ishte shumë e organizuar. Trajneri kishte menduar për ekuilibrin. Vllaznia bëri një ndeshje të mirë, por goli i Bregut bëri diferencën. Lojtarët e rëndësishëm të nxjerrin nga situata, u mjafton një moment. Teuta u tërhoq në fund dhe mund të ishte ndëshkuar, por mund të them se mori një fitore shumë të rëndësishme. Tani skuadrat kanë më shumë presion”.

APOLONIA-PARTIZANI 1-1: “Ndeshje të tilla janë të vështira, të cilat duhet ti kapësh që në fillim. Edhe fusha krijon vështirësi, sepse Partizani është mësuar në fushë të mirë, në “Elbasan Arena”. I kishte të gjitha mundësitë për të marrë tri pikët, duhej një agresivitet më i madh. Krijoi lojë, sulmoi, por gaboi në finalizim. Edhe goli i shënuar nga të kuqtë ishte më tepër si rastësorë. Goli i Çinarit? Për mua ishte i rregullt, është një gabim i anësorit”.

TIRANA-BYLIS 2-0: “Tirana kishte vështirësi, sidomos në pjesën e parë, pavarësisht rezultatit që ishte i pastër. Dua të them se është në një situatë të mirë. Kur mer pikë, situate vjen e bëhet më emirë. Nëse do të marrë tri pikë dhe në ndeshjen e radhës, atë me Kastriotin, situata do të përmirësohet akoma më shumë”.

SKËNDERBEU-KASTRIOTI 0-1: “Me këtë fitore, Kastrioti mund të quhet një skuadër e shpëtuar. Krutanët kanë një trajner ekspert, që e njeh shumë mirë Kategorinë Superiore dhe lojtarë me eksperiencë. Skënderbeu është zhytur shumë, më duket shumë e vështirë që t’ia dalë, ka lënë shumë pikë. Është një skuadër e lehtë në shtëpi. Të gjithë në Korçë shkojnë për të fituar”.