Specialisti i studios së Rubrikës Sportive në RTSH Sport, Shkëlqim Muça ka dhënë mendimin e tij për javën e pestë të Ligës Superiore: “Vllaznia u vendos nën presion, njerëzit filluan të mendojnë për fitimin e titullit. E kam thënë edhe më parë, shkodranët kanë disa dobësi, sidomos në mbrojtje. Nuk duhet të harrojmë dhe diçka tjetër, në Shkodër të lejojnë të luash futboll, luhet hapur”.
Për Partizanin: “Nuk ka ndeshje të lehta, port e Partizani ekziston një frymë e mirë. Është skuadra më stabël në kampionat. Fitoret e bëjnë më të lehtë, besimi vjen e rritet. Trajneri Daja duket qartë që e ka nën kontroll skuadrën. Por duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, surprizat mund të ndodhin në çdo moment”.
Goli i shënuar nga Mala: “Ishte një goditje mjeshtërore, por dhe portiere bëri gabim në lëvizje. Nuk duhet ta kishte lejuar atë gol, por pa i hequr meritat lojtarit për goditjen e bërë”.
Largimi i Cungut: “Nuk jam dakord me largimin e Cungut nga skuadra e Laçit. Një trajneri duhet ti jepet koha e nevojshme. Përpara ishte ndeshja me Apoloninë dhe gjërat mund të kishin një tjetër rrjedhë”.
Tirana, me ulje ngritje: “Tirana vazhdon me ulje e ngritje, nuk bëri asgjë më shumë se Kastrioti. Madje në disa moment skuadra krutane ishte më stabël. Me pak fjalë, Tirana ka shumë problem në lojë, problem me lojtarët. Ata që aktivizohen, nuk arrijnë të tregojnë veten, nuk tregojnë cilësi”.
Ecuria e Kukësit – “Kukësi ka shumë cilësi, por akoma nuk ka personalitetin e duhur, për të pretenduar për titull. Është një skuadër e transformuar, i duhet kohë, por njëkohësisht i duhen dhe pikët për të larguar presionin. Tani mund të them se ëhstë në rrugën e duhur, ka fituar pikët, por nuk ka fituar ende lojën”.