Shkëlqim Muça, me një urim për vitin e ri, ka nisur dhe rrugëtimin me analizën e tij në Rubrikën Sportive në RTSH për atë që ka ndodhur gjatë javës së fundit në Kategorinë Superiore.
Në fillim është ndalur te “Më të mirët e Vitit” organizuar nga RTSH Sport: “Me zgjedhjen e lojtarëve më të mirë i jepet një panoramë edhe kampionatit. Unë kam votuar duke u mbështetur te sezoni i kaluar, te ata që kanë fituar më shumë trofe. Ishte diçka shumë e bukur, diçka që le një shije të mire”.
Dominimi i Vllaznisë dhe shpërfytyrimi i Teutës – “Vllaznia kishte gjithçka më shumë si ndeshje, e dominoi edhe kur ishte me 10 lojtarë. E zhvlerësoi Teutën nga minuta 70-të e në vazhdim. Nuk u organizu Teuta, nuk krijoi fare as në sulm.
Kjo tregon sa larg është skuadra durrsake nga mendimi jonë për të qënë një ekip për kampion, me atë që ka dhënë në fushë është shumë larg. Vllaznia është shumë afër këtij objektivi, nga java në javë e ka rritur personalitetin, është pjekur si skuadër dhe po vazhdon me këtë ritëm.
Po tregon stabilitet në lojë dhe rezultat. Teuta, sidomos pas minutës së 70, mendoja se do të barazonte, por u shpërfytyrua. Edhe nga ndërrimet që u bënë, u fut i gjithë arsenali i sulmuesve, kjo është mangësia që kanë në drejtim, sepse nuk kanë përcaktuar dublantët e secilit lojtar.
Struktura e skuadrës nuk ndryshon, nuk mund të fusësh pesë sulmues dhe të lëshë ekipin mbrapa me katër lojtarë. Loja e Teutës u bë konfuze, ndërsa Vllaznia mbajti të njëjtin ritëm, është në rrugë të drejtë”.