Ish-futbollisti dhe trajneri i mirënjohur, Shkëlqim Muça, tashmë në rolin e analistit, foli për javën e 31-të të Kategorisë Superiore, e cila u zhvilluar në 2 ditë, të dielën dhe të hënë.
I ftuar në studion e “Rubrikës Sportive”, Muça veçoi fitoren e Skënderbeut dhe Partizanit, ndërkohë që përballjen Vllaznia-Teuta, që ishte cilësuar si kryendeshja e javës, e klasifikoi si një përballje shumë të dobët, ku skuadrat nuk bënë dot 2 pasime.
“Fitorja e Skënderbeut e bëri të bukur luftën në fundin e tabelës. Më pëlqeu ndeshja mes Partizanit dhe Apolonisë, nëse do më duhet të veçoj një të tillë, ndërsa sfida mes Vllaznisë dhe Teutës ishte shumë e dobët, nuk bënë dy pasime”, u shpreh fillimisht Muça.
Fitorja e Partizanit – “Ndonjëherë futbolli thotë dhe jo, por Partizani ishte i vendosur, po e kërkonte golin. Mendoj se është ekipi më i mirë në këto moment. Ndërsa po shikonim ndeshjen, të krijohej përshtypja se goli do të mbërrinte nga moment në moment. Krijoi lojë, krijoi raste.
Arriti të shënojë në momentin që ndoshta nuk po luante dhe aq mirë. Tani rëndësi kanë tri pikët. Ndeshja në Korçë? Një skuadër që kërkon titullin duhet të tregojë veten kudo. Është një ndeshje e vështirë, Skënderbeu po kalon një moment të mirë, por Partizani i ka lojtarët”.
Përballja Vllaznia-Teuta- “Vllaznia u duk diçka më mirë, ndërsa Teuta ishte shumë e shpërndarë, e pa orientuar në nivelin teknik dhe taktik. Është një skuadër që gabon shumë teknikisht. Mesfusha gaboi shumë në pasime.
Prandaj e cilësoj një ndeshje mediokre në nivelin teknik. Ndoshta ishte dhe frika ndaj njëra-tjetrës, që solli në një ndeshje të tillë. Ishte një ndeshje kampionati, duhet të futesh në fushë për të fituar, ishte në vend të parë, por Teuta nuk e tregoi këtë. Si mund të dalësh kampion po nuk munde rivalët direkte?”
Triumfi i Laçit- “E lehtë nuk ishte, pasi kishte një ngarkesë për Laçin, pavarësisht se në përbërje ka element të mirë. E zgjidhi ndeshjet shpejtë dhe arriti të marrë tri pikë të rëndësishme në këto moment. Kukësi është një skuadër e lehtë, sidomos në mbrojtje, ka pësuar shumë gola”.