Ernest Muçi është kthyer përsëri protagonist me fanellën e Legias së Varshavës, teksa sot ka qenë vendimtar në ndeshjen miqësore që kjo skuadër ka zhvilluar kundër klubit serb Çukariçki.

Legia po zhvillon fazën përgatitore për pjesën e dytë të sezonit në Belek të Turqisë dhe sfida e fundit miqësore ka qenë pikërisht kjo e sotmja. Muçi u aktivizua titullar dhe ia doli që të linte shpejt shenjë në këtë duel duke shënuar që në minutën e dytë të takimit.

Në minutën e 24-t, ishte përsëri sulmuesi shqiptar protagonist me një aksion ku shmangu dy kundërshtarë për të dërguar më pas topin në rrjetë duke dyfishuar rezultatin në një ndeshje e cila në fund u mbyll me shifrat 3-2 për Legian.

Skuadra polake kishte ndarë grupin e lojtarëve në dy pjesë dhe disa prej tyre luajtën sot paradite një test miqësor me Çemnitzer të Gjermanisë. Në atë sfidë u aktivizua edhe mesfushori Jurgen Çelhaka, i cili mund të ketë një rol protagonisti në klubin polak në pjesën e dytë të edicionit.