Skuadra e Skënderbeut ka mposhtur sot në shtëpi Luftëtarin me rezultatin 2-1 dhe kur mbeten ende 10 javë nga përfundimi i kampionatit, ka arritur kuotën e 60 pikëve, duke ruajtur diktatin në krye të klasifikimit, me 18 pikë avantazh ndaj Kukësit.
Edhe pse ky i fundit ka një ndeshje më shumë në dispozicion. Ishte James, ai që ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 32’, ndërsa Lilaj ka dyfishuar shifrat nga pika e bardhë e penalltisë.
Miqtë janë kundërpërgjigjur me Liçaj në të 71’, duke krijuar iluzionin e rihapjes së takimit, por sundimi i korçarëve nuk është cënuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Pas javës së 26-të, skuadra e Luftëtarit mbetet në vendin e pestë të klasifikimit, në kuotën e 37 pikëve, e rrezikuar tashmë nga Partizani.
James vazhdon të shijojë momentin e tij pozitiv, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për të kaluar Skënderbeun në avantazh, nëpërmjet një goli të realizuar në minutën e 32’ falë një kombinimi perfekt me Gavazaj që ka shërbyer në mënyrë ekzakte, duke bërë të padobishëm çdo përpjekje të portierit Athanasopulos.
Epërsia e korçarëve është dyfishuar në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, kur Lilaj ka shndërruar në gol një penallti të fituar nga Sowe, pasi u ndal në mënyrë të gabuar në zonë nga portieri Athanasopulos.
Në të 71’ Liçaj ka shënuar një gol me kokë, pasi ka triumfuar përballë zëvendësuesit të Shehit, portierit Aldo Teqja, duke ngushtuar diferencat.
Një gol që rezultoi i pamjaftueshëm për të cënuar superioritetin e korçarëve që ruajnë ritmin e tyre kryesues me +18 ndaj ndjekësve më të afërt./telesport/