Klasikja e Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores përfundoi me fitoren e shkodranëve. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” u fitua nga vendasit 2-1. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i kryeqytetasve, Gugash Magani.
“Renditja është padiskutim pjesë kryesore e momenteve të këqija që po kalojmë. Sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në pjesën e parë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen në 2-3 situata, pasi në pjesën e parë Vllaznia na goditi vetëm 1 herë portën. Mënyra si i marrim golat është pasiguri. Në momente të veçanta duhet të jemi më të kujdesshëm, duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Jam i kënaqur me skuadrën, por jo rezultatin. Për asnjë moment s’do të dorëzohemi, është moment i vështirë. Nuk i kam folur fare skuadrës.
Ilaçi është që t’i japim besim lojtarëve. Kemi bërë merkato, lojtarët nuk janë të gatshëm. Sot patëm mungesa të rëndësishme. Por natyrisht kur pëson me rezultatin 0-1, nuk ke se çfraë thua ndonjë fjalë më shumë. Ne kemi përgjegjësitë tona, unë si trajner kam të miat. Unë gjithmonë kam marrë risk dhe këtë tension mos ta kalojmë te lojtarët. Shpresoj të kalojmë këtë gjendje që nuk i shkon për shtat Tiranës.
Unë mendoj se golat që pësuam, njëri në pozicion standard dhe tjetri gabim, që mund të evitohej. Unë e kam thënë se kemi lojtarë që janë me eksperiencë dhe e heqin topi nga zona e rrezikshme sepse ndodhin momente si ai i golit. Nuk na bënte punë një pikë, por ashtu si shkoi loja mendoj se do isha i kënaqur edhe me barazim. Ajo që ka më shumë rëndësi është t’i japim besim lojtarëve. Kur jemi mirë, jemi të gjithë. Kur jemi keq, s’duhet t’ja vendosim njëri-tjetrit.
Analiza është diçka brenda shtëpisë, nuk do të nxjerr asnjë sekret. Veshin do t’ja tërheq vetes sime. Ka momente që ne besojmë shumë te një lojtar dhe jo te një tjetër. Marku sot ishte më i miri në fushë. Do bëj një autoanalizë që të gjithë lojtarët të marrin atë që meritojnë. Ne trajnerët presin nga lojtarët që janë blerë dhe kanë kosto, duhet të kenë më shumë përgjegjësi.
Në pjesën e dytë ne ndryshuam modulin në 4-4-2. Futëm dy lojtarë natyralë dhe Marku kishte pozicion 6 bashkë me Metën. Kishtë një mosmarrëveshje që e rregulluam pak më vonë. Nuk ishte ky problemi, pasi rasti i parë ishte faull dhe i dyti lojë dinamike”, është shprehur Gugash Magani.