Ky sezon i Bajernit të Mynihut nuk nguron që të ofrojnë një thriller të ri çdo fundjavë, teksa pasi u dorëzuan në luftën për titullin kampion përballë Leverkusenit shumë shpejt, për herë të parë në histori u mundën nga një skuadër modeste si Haidenhaimi.
Në të njëjtën kohë, sërish si asnjëherë tjetër ndoshta në historinë e tyre, një trajneri i lajmërohet shkarkimi në gjysmën e sezonit, edhe pse ai duhet të mbyllë deri në fund vitin futbollistik. Dhe sot, vjen mundësia për të luajtur shanset për një biletë në gjysmëfinalet e Champions-it, përballë Arsenalit, por me një ultimatum të fortë, kapitulli i radhës dhe ndoshta i fundit për Tomas Tuhelin në Mynih:
“Nëse humb sfidën e vajtjes me anglezët do të dorëzosh stolin. Kemi Miroslav Klose gati (trajneri i ekipit të të rinjve) për ta çuar deri në fund sezonit”. E vështirë për t’u dëgjuar, e jo më për t’u pranuar përpara një çerekfinaleve vajtjeje në Angli, por Tomas Tuhel tregohet sërish i fortë dhe në konferencën për shtyp dhe nis duke iu kundërpërgjigjur drejtuesve të klubit:
“Unë nuk jam dorëzuar, as kam ndërmend që ta bëj në këtë moment. Po, është e vërtetë që duke parë paraqitjet e fundit kemi merituar që të kritikohemi, por ky është futbolli. Unë jam aq i rritur sa të përballoj çdo gjë, pasi i kam hyrë vetë këtij profesioni. Dhe mbi të gjitha, nuk dua që të shoh asnjë lloj emocioni nga ana e lojtarëve të mi, asnjë keqardhje, pasi unë kam qenë dhe jam krenar që stërvis një klub si Bajerni, me lojtarë kaq të mëdhenj.
Po, është po aq e vërtetë se do të jetë e bukur që përballë do të gjej një trajner si Arteta, shumë i ri, por shumë i vlerësuar nga unë, që tashmë ka në përbërje Kai Havercin, lojtarin që ka shënuar golin më të rëndësishëm të karrierës sime (referuar atij me Çelsin kundër Sitit në finalen e Champions-it). Por e ritheksoj, unë jam totalisht i fokusuar te Bajerni dhe besoj se kam ende për t’i dhënë deri në ndeshjen e fundit. Ajo që dua është që të shoh shpirtin e vërtetë të skuadrës tonë në fushë, atë që dimë ne vërtet të bëjmë”, nënvizon Tuhel.
Pyetjes mbi pikat e forta të Arsenalit, i përgjigjet me një thumbim për lojtarët e tij, që shpresohet ta marrin si motivim.
“Pika e fortë e Arsenalit? Fakti që trajneri dhe skuadra ecin në një linjë. Trajneri ndjek lojtarët dhe lojtarët ndjekin trajnerin. Pasi vetëm kështu mund të jesh skuadra më e fortë e këtij sezoni në kampionatin anglez, siç tregojnë statistikat. Por edhe ne jemi Bajerni i Mynihut, kështu që të luftuarit kundër Arsenalit, pas një momenti jo të bukur, do të jetë motivimi i duhur për të bërë një paraqitje të madhe. Më pas të shohim sesi do të përfundojë për secilin prej nesh”, deklaroi në konferencën për shtyp Tomas Tuhel.