Cristiano Ronaldo sapo ka thyer një rekord ndërkombëtar disa ditë më parë, duke u bërë lojtari me më shumë fitore (133) në ndeshje me Kombëtaren e tij, duke e kaluar ish-shokun e tij të skuadrës, Sergio Ramos. Por, në moshën 40-vjeçare, duket se karriera e tij ndërkombëtare po i afrohet fundit. Këtu shfaqet dikush me të njëjtin emër dhe të njëjtën gjak, Cristiano Ronaldo dos Santos Júnior, trashëgimtari i tij i parë.

I njohur si “bichito”, djali i Ronaldos, i cili aktualisht është 14 vjeç, tashmë është në radarët e shumë klubeve në mbarë botën. Ai ka kaluar në akademitë e Juventusit dhe Manchester United, duke lënë përshtypje pozitive në të dy klubet, çka tregon se nuk është vetëm emri ai që luan. Aktualisht, ai është pjesë e ekipit të të rinjve të Al Nassr, skuadra e tanishme e babait të tij.

Tani ai është para një vendimi të vështirë: cilin komb do të përfaqësojë? Ka disa mundësi, disa më të realizueshme se të tjerat, por në fund ai do të duhet të zgjedhë vetëm një. Këto janë opsionet e tij:

Sipas vendit të lindjes

Në vitin 2010, pavarësisht se kishte vetëm një vit te Real Madridi, Ronaldo vendosi që djali i tij i parë të lindte në San Diego, Kaliforni. Kjo do të thotë se ai mund të luajë për Kombëtaren e SHBA-së, duke u bashkuar me lojtarë të nivelit botëror si Pulisic apo Timothy Weah, djali i legjendës George Weah. Duke njohur mentalitetin e babait të tij, ky mund të mos jetë opsioni më i fortë, por gjithsesi mbetet një mundësi.

Sipas vendit ku ka jetuar

Më 27 gusht 2021, bota u trondit kur Cristiano Ronaldo u kthye në Manchester United pas 12 vitesh. Ai qëndroi në Angli për pothuajse dy vite. Kjo periudhë, e kombinuar me vitet që kishte kaluar më parë në Manchester, si dhe disa procedura ligjore, mund t’i mundësojë Cristianos Jr. të veshë fanellën e Anglisë, duke luajtur krah për krah me Jude Bellingham dhe të tjerë për të paktën një dekadë.

Duke marrë parasysh historinë dhe rëndësinë e futbollit anglez, “Three Lions” mund të jenë një zgjedhje e madhe për të, sidomos për mundësinë e pjesëmarrjes në Europianë dhe Botërorë.

“La Roja” pret vendimin e tij

Në vitin 2009, Cristiano Ronaldo u bë lojtari më i shtrenjtë në histori kur u transferua te Real Madridi. Një vit më vonë, ai solli në jetë djalin e tij, i cili megjithëse lindi në SHBA, kaloi të paktën 8 vitet e para të jetës në Spanjë.

Ligjërisht, meqë ka jetuar mbi tre vjet në Spanjë para moshës 10 vjeç, ai mund të kërkojë nënshtetësinë spanjolle. Imagjinoni një kombëtare spanjolle me Lamine Yamal, Nico Williams, Thiago Messi (i cili mund ta marrë shtetësinë spanjolle në të njëjtën mënyrë) dhe Cristiano Jr. për Botërorin e 2030 që do të organizohet nga Portugalia, Maroku dhe Spanja.

A mund të luajë për Kepin e Gjelbër?

Emri Isabel da Piedade nuk është i njohur për shumicën, por ajo ishte gjyshja e María Dolores dos Santos Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos. Ajo ishte me origjinë nga Kepi i Gjelbër, një ishull afrikan ku flitet portugalisht.

Nëse shihet nga ana numerike, kjo nuk është një zgjedhje ambicioze, por emocionalisht mund të jetë një faktor vendimtar për të luajtur për “Peshkaqenët Blu”.

Zgjedhja më e mundshme?

Babai i tij ka shkruar historinë me Portugalinë dhe ka qenë lideri i një gjenerate që e riktheu kombëtaren në majat e futbollit botëror pas shumë vitesh. Ai fitoi Euro 2016 dhe UEFA Nations League 2019, të dyja si kapiten, duke sjellë të vetmet trofe në historinë e Portugalisë.

Megjithëse Cristiano Jr. nuk ka jetuar mjaftueshëm në Portugali, rëndësia e babait të tij për futbollin portugez e bën pothuajse të pamundur që ai të mos marrë shtetësinë. Kjo do të krijonte një skenar emocionues, ku, njësoj si LeBron James dhe Bronny James, mund të shohim Cristiano dhe Cristiano Jr. duke kënduar himnin “A Portuguesa” përpara një ndeshjeje të madhe me kombëtaren e Portugalisë.