Pavarësisht kushteve shumë të vështira në të cilat vijojnë të stërviten mundësit e Vllaznisë, ato vijojnë të bëjnë paraqitje të mirë në çdo aktivitet ku marrin pjesë. Kështu ka ndodhur edhe në kampionati kombëtar të të rinjve të zhvilluar ditët e fundit në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Ata kanë arritur të zënë vendin e tretë në renditjen ekipore, duke u renditur pas Tiranës dhe Teutës, dy ekipe me përbërje shumë të mirë dhe me kushte komode për stërvitje. Por jo vetëm kaq. Nga ekipi I Vllaznisë ka dalë edhe një kampion. Ai është Kristian Fiku. Në peshën 96 kilogramë, shkodrani ka arritur t’I sfidojë të gjithë dhe të zërë vendin e parë duke u shpallur kampion I Shqipërisë për këtë vit në mundjen e lirë.

Por përveç Kristian Fikut, paraqitje të mirë kanë bërë edhe disa sportistë të tjerë të ekipit shkodran. Kështu, katër sportistë të tjerë kanë zënë vendet e dyta në peshat respektive dhe janë shpallur nënkampionë. Dashnor Koka ka zënë vendin e dytë në peshën 66 kilogramë, Adnan Guri në peshën 74 kilogramë, Bajram Guri në peshën 86 kilogramë dhe Eqerem Shega në peshën deri 120 kilogramë. Natyrisht që një renditje e tillë është një sukses jo I vogël, duke parë edhe nivelin e kundërshtarëve dhe kushtet në të cilat ato stërviten. Megjithatë, paraqitja e mundësve shkodranë është për t’u vlerësuar. Trajnerët Nazmi Elezi dhe Dedë Bregu kanë bërë një punë shumë të mirë me këtë ekip dhe renditja në vendin e tretë, kuptohet që është për t’u vlerësuar. Ashtu si dhe shumë sporte të tjera të Sportklub Vllaznia, janë në pritje të ndërtimit të palestrave të reja, në të cilat sigurisht që do të ketë edhe rezultate më të larta dhe të paktën mundja e garanton këtë gjë.

 

© shkodrasport.com