Mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” është luajtur ndeshja e javës së 23-të e kampionatit kombëtar të futbollit për moshën U-19 në mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Djemtë shkodranë kanë luajtur më mirë dhe për rrjedhojë e kanë dominuar ndeshjen duke e fituar atë në fund me rezultatin 2-0.

Kuqeblutë kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje. Në të parën ka qenë sulmuesi Ildi Gruda ai që e ka dërguar topin në rrjetën e portës bardheblu, pikërisht në ’19.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, ata kanë fituar një 11-metërsh në minutën e 56-të të cilin e ka kthyer në gol kapiteni Arsaed Rahova.

Me këtë fitore, Vllaznia U-19 vazhdon kryesimin e renditjes, tashmë në kuotën e 56-pikëve.

Kur kanë mbetur edhe katër javë deri në përfundim të fazës së tretë të kampionatit, shkodranët kanë 6 pikë më shumë se Shkëndia e vendit të dytë dhe tetë pikë më shumë se Partizani i vendit të tretë.

Me këtë ecuri, padyshim që play off-i duket i sigurtë për ekipin shkodran por objektivi padyshim që nuk është ky, por fitimi i titullit kampion.
www.shkodrasport.com