Pas sukseseve të njëpasnjëshme si kampion kombëtar, sportisti kosovar Shkëlqim Koçi ka arritur të sigurojë së fundmi medaljen e parë në sportin e mundjes së krahut në nivelin botëror profesionist.

Në këtë garë të mbajtur në Zyrih të Zvicrës, garuesi shqiptar Shkëlqim Koçi arriti të nderojë flamurin kuqezi, duke bërë një përformancë shumë të mirë dhe duke zërë vendin e tretë në Kategorinë 75-kg me dorën e djathtë, si edhe vendin e katërt me dorën e majtë në nivelin profesional.

Ekipi përfaqësues i Shqipërisë në këtë garë shoqërohej nga zv/presidenti i Federatës së Mundjes së Krahut, Ivo Doshi, i cili është njëherësh edhe trajneri i sportistit Shkëlqim Koçi. Vetë ky i fundit, i kontaktuar nga “Shkodra Sport” shprehet shumë i lumtur për këtë medalje të fituar.

“Këtë fitore ia dedikoj Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Është nder i madh për mua që kam arritur të bëj popullin tim krenar. Kjo garë ishte më e rëndësishmja në jetën time, pasi kishte nivelin më të lartë ndonjëherë, duke patur pjesëmarrës kampionë të nivelit europian, si edhe botërorë.

I treguam botës se mundemi ta arrijmë nivelin e tyre. Ne do të vazhdojmë të përgatitemi edhe për garat e tjera dhe t’i dëshmojmë botës se kush jemi dhe nga vijmë. Gjithashtu, i jam shumë falënderues zv/presidentit dhe njëkohësisht edhe trajnerit tim, Ivo Doshi, që ma mundësoi pjesëmarrjen në këtë garë. E falënderoj për të gjithë mbështetjen dhe gjithë suportin që më ka dhënë jo vetëm në këtë garë, por edhe në shumë momente të tjera.”

Ky është suksesi i parë profesionist për Shkëlqim Koçin në karrierën e tij sportive, teksa gara e rradhës për të do të jetë e nivelit botëror.
Maringlen ZHIVANI