Vllaznia do rikthehet në fushën e lojës që ditën e mërkurë në përballjen e kupës kundër Flamurtarit. Kuqeblutë do përpiqen që të përmbysin rezultatin përballë vlonjatëve, që fituan takimin e parë në shifrat 2-1. Dhe pavarësisht se vlonjatët janë një kategori më poshtë, janë një ekip me cilësi.
Tek shkodranër mobilizimi është i duhur, kjo jo vetëm për të marrë kualifikimin, por edhe për të larguar disi “mini krizën” ku është përfshirë ekipi. Por duket se sërish Josa duhet të “arnojë” formacionin. Kjo për shkak të mungesave nga dëmtimet që kanë disa nga titullarët.
Kështu e sigurtë duket që Hakaj dhe Latifi nuk do jenë në fushë. Madje për mbrojtësin e majtë në dyshim është edhe ndeshja e fundjavës kundër Laçit. E ndërsa Latifi nuk ka një datë të saktë për rikthimin. Boshnjaku dhe Heriç duket se mund të kenë një shpresë për aktivizim, por stafi kërkon të mos i rrezikojë dy mesfushorët.
Kjo për ti pasur të gatshëm në kampionat. Dhe shansi një herë duket se do jetë për lojtarët e rinj dhe ata të stolit që nuk kanë pasur minutat e duhura. E me patjetër të gjithë duhet të tregojnë vlerat e tyre, pasi në lojë është kualifikimi dhe një objektiv i rëndësishëm i sezonit siç është kupa.
Endri ÇINARI