Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë Antonio Marku i ka munguar formacionit të saj në dy ndeshjet e fundit si pasojë e një dëmtimi në gju. Për këtë arsye, në vendin e tij, në takimet ndaj Korabit dhe Skënderbeut është “adoptuar” mbrojtësi i djathtë Gocaj por kalimi i tij në këtë krah, ka krijuar jo pak probleme në tjetrin. Duke qenë kështu, stafi teknik po mendon një zgjidhje tjetër për ndeshjen e rradhës me Luftëtarin. Bëhet fjalë për tërheqjen e kapitenit Shtubina nga mesfusha në mbrojtje. Kjo gjë u eksperimentua në ndeshjen e djeshme të kupës ndaj Mamurrasit dhe 29 vjeçari shkodran përgjithësisht e ka zgjidhur mirë këtë gjë, ndonëse duhet pranuar se nuk ka patur shumë punë. Eksperimentimet në formacion i ka pranuar edhe vetë Shtubina që për mediat do të shprehej: “Siç e patë edhe vetë, trajneri ka vendosur të ndryshojë disa gjëra në formacion dhe për këtë, në minutat e para të ndeshjes ndaj Mamurrasit nuk dolëm në lojën tonë sa u ambjentuam me vendet ku luajtëm por më pas gjithçka u zgjidh si duhet. E rëndësishme është të harrojmë sa më shpejt Skënderbeun dhe të mendojmë për sfidën e rradhës me Luftëtarin”. Kalimi i Shtubinës në krahun e majtë të mbrojtjes do të bënte që vendi i mesfushorit të këtij krahu të mbeste bosh dhe tashmë duhet parë se cilën alternativë do zgjedhë trajneri Cungu, aktivizimin e Kalajës në këtë pozicion apo kalimin e Hoxhës aty nga e djathta.
© shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Mungesa e Markut, Cungu eksperimenton Shtubinën mbrojtës të majtë