“Futbolli luhet për tifozët”, ky është një slogan i njohur që në kohën kur sporti u kthye në një argëtimet primare të njerëzimit. Një event sportiv pa praninë e spektatorëve humbet vlerë, është i shurdhër dhe sado mirë të perfermojnë sportistët, asnjëherë nuk është e njëjta gjë.
Për të dalë në temë, Kukësi nuk luan në shtëpi derisa të rindërtohet stadiumi “Zeqir Ymeri” dhe ka qenë i detyruar që të shtegtojë sa në Elbasan e Shkodër, dikush që nuk ka informacion do të vinte bast se tifozët e Kukësit janë dënuar për të mos qenë të pranishëm në stadium, pasi mbështetësit e bluve nuk kanë udhëtuar as në “Elbasan Arena” e as në “Loro Boriçi” pavarësisht se skuadra ndodhet në vendin e dytë, një pikë më pak se Skënderbeu.
Një shtegtim i tillë rrezikon të dëmtojë teknikisht skuadrën, futbollistët edhe nga ana psikologjike duhet të jenë të mësuar që një herë në dy javë të luajnë në të njëjtin terren, pra kalimi nga Elbasani në Shkodër dhe anasjelltas është problematik, ndaj duhet gjendur një mënyrë për t’ia thjeshtësuar tifozëve praninë në stadium.
Në këtë pikë drejtuesit e klubit po e mendojnë prej disa javësh alternativën Kamëz. Mijëra kuksianë jetojnë në qytetin e vogël dhe përvoja e vitit të kaluar ka treguar se kur blutë luajnë në transfertë ndaj Kamzës, ka më shumë tifozë të Kukësit sesa vendas, madje ka raste kur ka edhe më shumë se në Kukës.
Fillimisht duhet arritur akordi me bashkinë dhe klubin e Kamzës, e më pas duhet koordinuar kalendari, por për momentin kjo është zgjidhja më e mirë që më në fund skuadra të dëgjojë dikë të thërrasë “Gol”.