Nga Gjergj KOLA

Mund të cilësohet pa frikë si afrimi më cilësor i merkatos verore tek Vllaznia, ku menjëherë u shndërrua në protagonist duke fituar vendin e formacionit. Fjala është për Klinti Qaton, mesfushorin e afruar në rradhët e kuqebluve gjatë verës së shkuar. Ku kuçovari pas një sezoni paraardhës ku shkëlqeu në rradhët e Laçit vendosi t’i bashkohej kuqebluve.

Dhe performancat e tij menjëherë ranë në sy, ku fitoi vendin e titullarit tek 9 herë kampionët e vendit. Grinta, lufta sportive dhe kilometrat pa fund të përshkuar nga 27-vjeçari e shndërruan atë në një lojtar kyç në mekanizmat e skuadrës së drejtuar nga Brdariç. Mungesa e tij është vënë re në ndeshjet dhe ritmin që po shfaq Vllaznia në ndeshjet e fundit, shkruan shkodrasport.com

Në duelin e fundit ndaj Egnatias, mesfusha shkodrane u duk “apatike” pa praninë e titullarëve të zakonshëm. Ritmi dhe thuajse humbja e të gjitha dueleve bënë të ndihet mungesa e një futbollisti “motor” si Qato. Tek shkodranët shpresojnë që ish-futbollisti edhe i Luftëtarit në vendin tonë të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur me ekipin. Ku shpresat janë të mëdha që ai mund të jetë i gatshëm që në ndeshjen e rradhës kundër Teutës në kampionat.

Po ashtu edhe mungesa e Krymit që nga minuta e parë u ndje tek Vllaznia. Me zëvendës kapitenin që u hodh në fushë në pjesën e dytë duke zëvendësuar Stojanoviç. Por 29-vjeçari u aktivizua në rolin e mbrojtësit të qendrës dhe jo atë të mesfushorit para mbrojtes që është edhe roli i tij natyral.(www.shkodrasport.com)