Që një skuadër të jetë pretendente dhe rivalizuese, nuk duhet të mjaftohet vetëm me titullarët në fushë, por edhe të ketë një stol të mirë. Përjashtim nuk bëjnë sigurisht as klubet shqiptare. Për këtë arsye, në Kukës ndërhynë në merkaton e janarit, me shpresën se do të përforconin organikën dhe trajneri Diego Longo të mos kishte “dhimbje koke” sa herë do të kishte ndonjë mungesë.
Mirëpo, te verilindorët ndërhyrjet nuk dhanë efekt pozitiv, përkundrazi, Kukësi ka qenë shumë larg asaj skuadre të fillimsezonit, kur rivalizonte madje edhe për titullin kampion, ndërsa tani është jashtë Europës.
STOLI
Kukësi ka shpresuar më kot që këtë sezon në ndeshje të caktuara zgjidhja të vinte nga stoli, sepse shifrat tregojnë të kundërtën, pasi lojtarët që janë futur si zëvendësues nuk janë treguar efikasë. Përjashtim bën vetëm një rast, ku në ndeshjen me Skënderbeun, sapo futet në fushë dhe në prekjen e parë të topit, Vasil Shkurtaj shënon dhe zgjidh ndeshjen, duke i dhënë tri pikët skuadrës. Ky është rasti i vetëm përgjatë këtij sezoni, kur një zëvendësues te verilindorët i jep fitoren ekipit dhe tregohet efikas.
Ka ndodhur edhe tri herë të tjera që lojtarët e stolit kanë arritur të shënojnë, por nuk ka pasur vlerë në pikë. Pra, thjesht një sadisfaksion personal. Luka Milunoviç dhe Kreshnik Bahtiri kanë shënuar ndaj Egnatias dhe Kastriotit gola që thjesht thelluan fitoren e Kukësit, ndërsa Ardit Hila ka realizuar me penallti ndaj Skënderbeut, por pa i dhënë dot pikë skuadrës. Vetëm katër lojtarë që janë futur nga stoli këtë sezon ia kanë dalë të shënojnë me verilindorët, me lëvizjet e Longos që nuk kanë rezultuar efikase. Gjithsesi, pjesën më të madhe të fajit që skuadra po dështon e kanë titullarët, sepse ata kanë pasur peshën kryesore në ekip.
PËLLUMBI
Në ndeshjen me Dinamon, që do të luhet të shtunën në orën 17:00 në Kukës, skuadra verilindore do të jetë e privuar nga mungesa e Jorgo Pëllumbit. Mbrojtësi, me të verdhën e marrë ndaj Vllaznisë, ka plotësuar numrin katër të tyre.
Lojtari ka qenë gjithnjë titullar në qendër të mbrojtjes pas ardhjes në merkaton e janarit, ndaj shihet si një mungesë e rëndësishme për verilindorët. Sakaq, lajme të mira ka për portierin Anxhelo Tafas, të cilit i shtohen shanset që të aktivizohet me dinamovitët. Me sytë nga infermieria është edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili ka nisur fazën e rikuperimit.