Vllaznia do t’i bëjë llogaritë ndaj Kukësit me katër mungesa të sigurta. Mevlan Adili, Erdenis Gurishta, Fjoart Jonuzi dhe Viktor da Silva nuk do të jenë në ndeshjen e së hënës për shkak të kartonëve dhe dëmtimeve.
Për brazilianin koha nuk premton për të qenë në fushë të hënën. Trajneri Tomas Brdariç ka thënë se pavarësisht faktit që mungesat janë me peshë, beson shumë tek ata që do të zëvendësojnë këta lojtarë.
Në fakt, alternativat nuk mungojnë te shkodranët. Në portë pritet të rikthehet titullar Zogoviç, ndërsa në mbrojtje, Brdariç me shumë mundësi do të përdorë këtë herë skemën me katër lojtarë, ku nga krahët do të luajnë Fangaj dhe Hakaj.
Ndërsa në mesfushë përpara mbrojtjes do të jenë Krymi dhe Heriç. Mustedanagiç do të jetë pak më i spostuar, për të formuar katërshen e ofensivës, ku Kruja dhe Latifi veprojnë nga krahët, ndërsa Aralica në majë.
Rikthim i rëndësishëm është edhe sulmuesi Ardit Hoxhaj, i cili mund të marrë minuta. I gatshëm për një fanellë titullari është edhe Mehdi Çoba. Brdariç ka edhe dy seanca në dispozicion për të përgatitur anti-Kukësin.