Ajo që ka rënë në sy sot në ndeshjen Vllaznia- Burreli ka qenë mungesa e zëvendëstrajnerit Elvin Beqiri në pankinën shkodrane. Ka disa ditë që përflitet për këtë gjë, pikërisht pas emërimit të tij në krye të kombëtares U17 të Shqipërisë.
Mungesa e tij në pankinë duket se ka ardhur ngaqë ai ka filluar angazhimet me stafin e ekipeve kombëtare në seleksionimet që do bëhen në disa vende. Por nga sa bëhet e ditur, javën e ardhshme mund të zyrtarizojë “divorcin” me kuqeblutë pasi një gjë e tillë nuk lejohet.
Në klubin shkodran ende nuk është konfirmuar kjo gjë dhe po ashtu edhe se nga kush do të zëvendësohet por çdo gjë do të mësohet brenda pak ditësh.
Beqiri u zgjodh nga vetë trajneri Hasan Lika për të qenë në stafin e tij në fillim të këtij sezoni kur ai u emërua në krye të Vllaznisë por duket se bashkëpunimi nuk zgjati më shumë se katër muaj.
E rëndësishme është që karriera e 38 vjeçarit po njeh rritje dhe fakti që është emëruar në krye të kombëtares U17 e tregon më së miri këtë gjë.
© shkodrasport.com