Vllaznia ka shumë mungesa në përballjen e së hënës ndaj Dinamos. Por ajo që duket se e shqetëson më shumë është pikërisht krahu i majtë i mbrojtjes. Momentalisht të gjithë lojtarët që luajnë në këtë krah janë të dëmtuar.

Një nga lojtarët stabël të këtij krahu, Esin Hakaj, është dëmtuar pas një tërheqjeje. Më parë ishte dëmtuar edhe Spahija pas një përballjeje miqësore mes ekipeve të U-19 dhe U-21, ku Spahija bënte pjesë. Radha për të qenë pjesë e këtij krahu ka qenë shqiptaromaqedonasi Xhelil Asani. Ai është aktivizuar në përballjen me Teutën, por mesa duket ka qenë i pafat, pasi pas një përplasjeje është dëmtuar duke lënë edhe fushën e lojës.

Tekniku Memelli në emergjencë e sipër ka thirrur që të luajë si lojtar i majtë Dragoshin. Mirëpo, pas vetëm 17 minutash pas një ndërhyrjeje të gabuar ai është larguar me karton të kuq, duke ndikuar jo vetëm në humbjen ndaj Egnatias, por edhe duke bërë që hallet për teknikun për të gjetur një lojtarë për krahun e majtë të mbrojtjes të jenë të mëdha.

Alternativat për këtë pozicion të fushës duket se mbeten vetëm dy. Të jetë një spostim i Stojanoviçit nga e majta e qendrës në të majtë. Por një tjetër alternativë është edhe aktivizimi i Malajt në këtë pozicion të fushës. Ai e tregoi veten edhe në takimin me Egnatian, që mund të tregojë më të mirën në këtë pozicion.

Aktivizimi i Malajt në këtë pozicion mund të ndikojë që jo vetëm në mbrojtje, por edhe në ofensivë Vllaznia të ketë më shumë prioritet. Megjithatë tekniku Memelli do të ketë edhe dy ditë në dispozicion për të vendosur për formacionin antiDinamo. Megjithatë tani skeleti i skuadrës është gati, ku përveç Mehidrit në portë edhe Sala do të jetë pjesë e formacionit nga e djathta e mbrojtjes.

Ndërsa priten që të jenë në fushë edhe Juriç e Stojanoviç e po ashtu edhe Boshanjaku, Krymi e Alivoda në mesin e fushës, ndërsa në sulm nëse do të aktivizohet Mala në të majtë të mbrojtjes, vija e sulmit pritet që të ketë Çobën, Balën e Grudën.