Mosha e tij është vetëm 21 vjeç por është kthyer në një lojtar të rëndësishëm të Vllaznisë. Bëhet fjalë për mesfushorin Ardit Krymi i cili do të mungojë në takimin e nesërm ndaj Teutës. Ai ka disa shqetësime muskulare në rrëzë të kofshës dhe për rrjedhojë stafi mjekësor ka vendosur ta lërë pushim për disa ditë. Si rrjedhojë e ka humbur ndeshjen e nesërme ndaj durrsakëve por mbase mund të jetë në dyshim edhe për të mërkurën ndaj Lushnjës.

Gjithsesi mjeku Çoba dhe fizioterapisti Haxhaja janë duke i qëndruar afër dhe po bëjnë çmos që ta bëjnë gati për të mërkurën. Interesant është fakti se ky futbollist është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Vllaznisë prej katër sezonesh. I “zbuluar” nga ish-trajneri Baldo Raineri që e mori nga ekipi i të rinjve në sezonin 2014-15, Krymi jo vetëm bindi me performancën e tij por edhe gjithnjë u shndërrua në një titullar të kësaj skuadre dhe në rastet e pakta qa ka munguar në fushë, mungesa e tij është ndjerë shumë. Shpresojmë që të mos ndodhë kështu nesër dhe Vllaznia të marrë një rezultat pozitiv ndaj Teutës.

© shkodrasport.com