Kukësi i dha ditën e djeshme dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë sot me Vllazninë në Shkodër në orë 16:00. Në kampin verilindor kërkojnë patjetër një rezultat pozitiv, që do t’i mundësonte të mos humbin ritmin e ndeshjeve të fundit dhe t’i largoheshin sadopak fundit të klasifikimit.
Për momentin, në kampin blu mbizotëron një situatë optimiste, duke lënë pas atë periudhë të errët, kur edhe ekipi preku vendin e fundit.
Gjithsesi, rreziku është ende evident, ndaj në klub kërkojnë të mbajnë me këmbë në tokë skuadrën dhe të kërkojnë vazhdimësinë.
Sa i përket kësaj sfide, trajneri Hallaçi është në “hall” për të përzgjedhur titullarët, ku ka luksin të bëjë përzgjedhje për shkak mbipopullimi, por edhe i stresuar për mungesën e sulmuesit Gabriel Barbosa për shkak kartonësh.
PORTA Në fakt, dilemat nisin që nga porta, ku me rikthimin nga dëmtimi të portierit Angelo Tafas, ka një duel sa i përket katërkëndëshit.
Në Kupë ndaj Apolonisë, Hallaçi e gradoi titullar Tafasin, edhe për t’i dhënë minuta rikuperimi, duke ulur në stol Betim Halimin, i cili mbajti peshën e portës këto ndeshje të fundit, ku edhe skuadra mori rezultatet e mira.
Një ditë para sfidës me Vllazninë, duket se ka një balotazh sa i përket titullarit.Gjithsesi, e rëndësishme për momentin është që të paktën tani ka një rivalitet në portë dhe pritet që të aktivizohet ai që është më në formë.
TITULLARËT Dilemat sa i përket titullarëve që do të gradohen në këtë përballje sa vijnë e shtohen dhe nuk mbarojnë vetëm me portën. Këto dilema i ka shtuar edhe mungesa e Barbosës në majën e sulmit dhe gjasat janë që ta zëvendësojë njëri prej afrimeve të ditëve të fundit.
Kolumbiani Martinez duket më i avantazhuar ta nisë titullar, por një mundësi është edhe kosovari Atdhe Rashiti, si dy lojtarët e vetëm që për momentin shihen si lojtarë që mund të mbajnë peshën e sulmit.
Sa u përket roleve të tjera, formacioni është kristalizuar, teksa mbrojtja me katër ka sjellë ekuilibrat e duhur me Ndrecën dhe Lamçen nga krahët dhe Bytyçin me Ebert që kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit në qendër të prapavijës.
Edhe në mesin e fushës ka mbipopullim, por duket se Hallaçi do t’i besojë futbollistëve të javëve të fundit si vëllezërit Taipi, Mbarak, Basha dhe Ovusu më të avancuar nga krahët.