Vllaznia ka provuar “shijen” e çdo rezultati deri më tani, por duke pasur më tepër humbje sesa fitore. Në 12-javë, shkodranët kanë koleksionuar tre fitore, katër barazime dhe pesë humbje, duke qenë aktualisht në vendin e shtatë me 13-pikë të grumbulluara.

Të premten e ardhshme, pas pauzës së Kombëtares, në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia do të luajë derbin verior kundër Laçit. Në edicionin e kaluar, dy skuadrat janë përballuar katër herë në kampionat, aty ku të dy ekipet kanë ndarë dy barazime dhe nga një fitore secili.

Megjithatë, tashmë shkodranët po përgatiten për të bërë kthesën pikërisht në derbin verior. Skuadra është stërvitur normalisht në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës, teksa në prag të ndeshjes me Laçin është konfirmuar mungesa e kapitenit Bekim Balaj.

Ky i fundit, me kartonin e verdhë të marrë në Tiranë ndaj Partizanit, plotësoi numrin katër të tyre dhe është i detyruar të mungojë ndaj Laçit këtë javë. Me këtë mungesë, alternativat për trajnerin Osmani zvogëlohen ndjeshëm. Aktualisht për qendrën e sulmit është në dispozicion vetëm Bruno Gomes.

Megjithatë, Osmani pritet të bëjë ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjen e fundit në Tiranë ndaj Partizanit, ku skuadra humbi. Trajneri shpreson të ketë 100% të gatshëm sulmuesin Bruno Gomes, i cili ka pasur probleme muskulore në javët e kaluara./SHKODRA-SPORT.COM/