Boshllëku që la pas largimi i Lukakut nga Interi, duhet të plotësohet një orë e më parë dhe drejtuesit zikaltër po shqyrtojnë pista të ndryshme për numrin e ri 9 të tyre. Preferenca e trajnerit Simone Inzagi është respektuar dhe Edin Xheko është lojtari në drejtim të të cilit po hidhen hapa gjigantë për ta bërë pjesë të ekipit, teksa së fundmi në mediat italiane raportohet se palët kanë arritur akordin total.
Pasi u duk se qëndrimi i boshnjakut në Romë ishte i padiskutueshëm si pasojë dëshirës së Murinjos për të mos hequr dorë prej tij, së fundmi mediat italiane kanë zbuluar së midis klubit dhe futbollistit ka ekzistuar një marrëveshje paraprake. Pakti verbal e lejonte 35-vjeçarin të largohej në rast të një oferte të rëndësishme dhe vetë futbollisti e ka konsideruar ofertën e Interit si të tillë.
Ai mund të ketë shansin e fundit për një sezon tjetër në “Champions League” si pasojë e moshës së tij dhe nuk dëshiron ta shpenzojë atë duke ndenjur te verdhekuqtë. Duke respektuar vullnetin e futbollistit, drejtuesit romanë kanë rënë dakord për nisjen e bisedimeve, por ngërçi vjen në çmimin që Interi duhet të paguajë. Në kryeqytet kërkojnë 4 milionë euro për të shmangur minusvalencën, ndërsa zikaltrit për momentin ofrojnë 2 milionë.
Shifrat pritet të përputhen së shpejti, kurse lojtari mund të mbërrijë në Milano të martën. Marota i ka ofruar Xhekos një kontratë 2-vjeçare gjatë së cilës do të përfitojë 5 milionë euro në sezon plus bonuset, shifër gjithsesi më e vogël se 7.5 milionë eurot që merrte te Roma.