Amir Kahrimanovic ishte një nga afrimet e kësaj vere tek Vllaznia. Mesfushori kërkohej nga shkodranët që nga merkato e verës së shkuar. Por skuadra e Erzenit ku ai ishte pjesë nuk e lejoi kalimin e tij tek Vllaznia. Duke bërë që ky transferim të konkretizohej një vit më vonë. Dhe duket se pritja ia ka vlejtur për kroatin.

Përshtatja e tij ka qenë e menjëhershme me ekipin kuqeblu. Duke qenë pjesë e futbollit shqiptar në dy sezonet e fundit, 25-vjeçari e ka pasur edhe më të lehtë ambientimin në Shkodër. Një qytet dhe një ekip ku adhurohen futbollistët teknikë siç është Kahrimanovic. Dhe nga i cili pritet shumë në sezonin e ri me fanellën kuqeblu.

Kjo sepse ish-futbollisti i Erzenit është një tip tjetër mesfushori nga ata që ka Vllaznia aktualisht në skuadër. Është një futbollist tek i cili mund të besosh shumë për krijimin e rasteve për sulmuesit. I cili po ashtu që e njeh mirë portën kundërshtare dhe një ekspert i goditjeve standarte. Këtë e vërtetojnë edhe statistikat e kroatit me Erzenin në dy sezonet e fundit në Superiore.

Në edicionin 2022-23 ai shënoi 8 gola me fanellën e shijakasve e ndërsa në atë 2023-24 e gjeti rrugën e rrjetës 6 herë. Shifra shumë të mira për një mesfushor i cili shikohet tashmë si 10-tshi i ekipit. Një futbollist me tiparet e tij i mungonte prej vitesh kuqebluve. E tashmë shpresat dhe shkëndijat që ka dhënë deri më tani Kahrimanovic janë me të vërtetë pozitive.
Endri ÇINARI