Neshat Murati është një nga lojtarët, ku e ardhmja e kombëtares sonë pritet të mbështetet. Qendërmbrojtësi ka tregues shumë të mirë fizikë dhe në një të ardhme të afërt do e shohim teksa flitet për të në merkato. 18-vjeçari është pjesë e kombëtares U19 të Shqipërisë dhe së fundmi ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, në rubrikën “Talente Shqiptare”.
DASHURIA PËR KËTË LOJË- Si fillim, si çdo fëmijë ishte dëshira shumë e madhe për të luajtur futboll si profesionist, sepse që nga ajo kohë shihja ndeshje futbolli në televizor dhe më pëlqente shumë futbolli si sport.
Në moshën 7-vjeçare kam hedhur hapat e parë në futboll, në klubin “Dardanët” në Tetovë, ku kam kaluar 5 vite të bukura me shumë motivim dhe shumë dashuri për futbollin. Dëshira dhe pasioni për futbollin lindi që nga ajo kohë, sepse e shihja se futbolli ishte pikërisht sporti i duhur për mua.
MBËSHTETËSI I PARË- Prindërit e mi ishin të parët që më afruan me këtë sport dhe kishin besim tek unë. Babai im po ashtu vinte në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje për të më parë në aksion. Gjithmonë, prindërit më thonin se dëshira e tyre më e madhe ishte që një ditë të luaja për Kombëtaren Shqiptare dhe ja ku erdhi edhe ajo ditë. Ia dola mbanë dhe e bëra realitet këtë ëndërr.
NJË DITË E ZAKONSHME PËR MURATIN– Në mëngjes fillon stërvitja me klubin, ku në orën 8:30 duhet të paraqitemi në dhomat e zhveshjeve, ndërsa stërvitja fillon në orën 10:00 dhe zgjat dy orë. Pastaj pas stërvitjes mundohem të pushoj dhe në orën 17:00 vazhdoj me stërvitje në palestër deri në orën 18:00. Më tej, mundohem të kaloj kohë me familjen.
SAKRIFICA– Futbolli për mua është i gjithi sakrificë. Nga koha që kam filluar hapat e para të futbollit e deri më sot për mua çdo ditë ka qenë sakrificë, punë dhe përkushtim i madh ndaj futbollit.
OBJEKTIVAT– Synimi im për të ardhmen është që të arrij majat, pra të bëhem një lojtar i madh në Europë, dhe të luaj për Kombëtaren A të Shqipërisë.
MESAZHI– Mesazhi im për bashkëmoshatarët e mi është që të punojnë shumë fort dhe të mos ndalojnë së besuari në ëndrrat e tyre! Sepse unë mendoj që puna është çelësi i një suksesi.
SHEMBULLI– Idhulli im në kombëtaren tonë është padiskutim Lorik Cana, sepse edhe pozicioni im në fushë është qendërmbrojtës, njësoj si Cana. Ai ishte kapiten dhe lider i Kombëtares dhe mendoj se ai është shembull për t’u ndjekur. /vipsport/