Zhoze Murinjo nuk ndryshon kurrë dhe çdo fjalë e tij shpesh krijon polemika. Të tilla do të jenë edhe deklaratat me të cilat trajneri ka komentuar ndeshjen mes Mançester Junajtid dhe Liverpul, duke rezervuar batuta për Ole Gunar Solskjaer dhe Jurgen Klop.
Para sfidës, thumbimet e tij ishin të gjitha për Solskjaer, me norvegjezin që u emërua pasi u shkarkua nga puna pikërisht portugezi. “Ata kanë bërë një punë të mirë gjatë javës që të bëjnë gjërat e qarta dhe të krijojnë një atmosferë pozitive për këtë ndeshje.
Unë do të mundohem të gjej një vend pune si e ka Ole dhe të flas gjithë kohën për të ardhmen. Mendoj se është një situatë e shkëlqyer, një kontratë trevjeçare, e ardhmja, lojtarët e rinj.
Mendoj se është një punë e shkëlqyer në një klub gjigant si ky”, tha Murinjo duke lënë të kuptohet se norvegjezi as që mendonte për të tashmen siç u është kërkuar trajnerëve të tjerë te Mançester Junajtid.
Ndërkohë, pas ndeshjes ironia e tij ishte drejtuar nga Klop, i cili u ankua se Mançester Junajtid kishte luajtur vetëm në mbrojtje ndaj ekipit të tij. “Nuk i pëlqeu menuja. Atij i pëlqen mishi por mori peshk, ndaj me siguri që nuk është i kënaqur. Jam shumë i lumtur që nuk fituan pasi rekordi që do arrinin ishte i imi, jo i tyri.
Qartësisht Jurgen është paksa i shqetësuar. Në “Old Traford” i cili është një vend special për Liverpulin që të fitojë, ai nuk ia ka dalë asnjëherë”, ishte thumbimi i Murinjos duke kujtuar se mbetej në fuqi rekordi i vendosur nga Çelsi i tij me 9 fitore radhazi në javët e para. /vipsport/