Fenerbahçe ka gjetur përsëri buzëqeshjen në kampionat, teksa ka mundur 4-1 Trabzonspor për të harruar disi eliminimin nga Kupa përballë Gallatasarajt. Por ajo ndeshje vështirë se do të harrohet për episodin kur Zhoze Murinjo kapi nga hunda trajnerin kundërshtar, Okan Byryk.

Sot, trajneri portugez ka shfrytëzuar rastin për të lëshuar një nga thumbimet e tij të radhës, duke iu referuar reagimit të tepruar të Byryk pas atij gjesti.

“Një pamje që vlen më shumë se një mijë fjalë. Pamjet flasin vetë. Të gjithë e kanë parë, jam i sigurt që e kanë parë edhe në Hollivud”, tha fillimisht portugezi.

“Lufta për titull? Nuk dua të përgjigjem. Përgjigja që jap rreth kësaj teme mund të jetë e rrezikshme”, ishin fjalët e tij.